Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, ka realizuar një aksion i cili është vazhdim i aksioneve të mëhershme për rastin Subvencioni 2021, në disa lokacione të ndryshme të Kosovës.
Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë tridhjetenjë (31) persona, prej tyre dymbëdhjetë (12) zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK. Ndërkaq, aksioni është zhvilluar në komunat:Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri dhe Podujevë.
Përderisa, 19 persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve.
Përfituesit e subvencioneve janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione.
Personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënie e ryshfetit”, “Mashtrim me Subvencione’’, si dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
Gjithashtu, gjatë afateve kohore ligjore Prokuroria Speciale do të bëjë kërkesë për caktim e masës së paraburgimit të personave të cilët janë ndaluar nga aksioni i sotshëm.
Gazeta Insajderi merr vesh nga burimet se në mesin e të arrestuarve janë dy persona nga komuna e Ferziajt.
Burimet thonë se Bashkim Mani që mbante detyrën e shefit të zyrës së Zhvillimit Rural në drejtorin e Bujqësisë në Ferizaj është njeri nga te arrestuarit për keqpërdorime me subvencione, shkruan Insajderi.
Madje, atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.Ndërsa, persona i dytë është një zyrtare i Agjencionit të Zhvillimit të Bujqësisë, zyra Ferizaj.
Nga Policia e Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Insajderin se aksioni po vazhdon dhe se pas përfundimit pritet të dalin me informacione shtesë.Ky aksion po realizohet nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike së bashku me Policinë e Kosovës.“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke e realizuar një operacion policor, ku pas përfundimit do të jepen informacione shtesë”, kanë thënë nga Policia për Insajderin.