Lajme

Bie numri i të prekurve nga gripi në Maqedoni

By FerizajPress

January 26, 2017

Edhe pse intensiteti i gripit shënon ulje, epidemiologët paralajmërojnë se mund të ketë rritje të sërishme të numrit të personave të sëmurë për shkak të fillimit të gjysmë-vjetorit të dytë të vitit shkollor.

“Çdo herë kur fillon viti shkollor, vërehet rritje e vogël e numrit, respektivisht presim që të ketë rritje të vogël të numrit pasi për shkak të grumbullimit të nxënësve krijohen kushte për përhapjen e gripit.  Kushtet e motit janë të volitshme, dhe konsiderojmë se edhe pse mund të ketë rritje, ajo do të ketë intensitet më të ulët se javët e kaluara – tha Vladimir Mikiq, Epidemiolog në Institutin e shëndetit publik.

Ndryshe numri i përgjithshëm i të prekurve nga gripi këtë sezon ka arritur në 31.732 persona. Përveç gripit, fëmijëve të moshës deri 14 vjeçare probleme u ka shkaktuar edhe lia e dhenve. Sipas të dhënave të fundit në vitin 2016 janë regjistruar 10 mijë raste të personave të prekur nga lia e dhenve, që është dyfish më shumë se viti 2015.

“Nëse pasqyra klinike është tipike me temperatura afatshkurta e cila nuk është shumë e lartë, kjo sëmundje mund të trajtohet në shtëpi, këto fëmijë nuk duhet të shkojnë në shkollë apo çerdhe. Kuptohet, duhet të kërkohet ndihmë nëse vërehet temperaturë më e lartë se 39 gradë dhe nëse kjo zgjatë më shumë – tha Mikiq.

Pasqyra klinike e lisë së dhenve është shumë më e lehtë në moshën fëmijërore. Aktiviteti i saj është më i lartë në muajt e dimrit dhe pranverës.