Sport

Behrami: Edhe nëse do të ishte e mundur, s’do të luaja për Kosovën

By FerizajPress

October 10, 2016

Mesfushori kosovar, Valon Behrami, insiston se nuk do t’ia kthente shpinën Zvicrës dhe të luante për Kosovën edhe nëse do ta kishte të mundur ta bënte këtë.

Gjatë viteve nëntëdhjetë familja e tij u detyrua të largohej për të kërkuar azil në Zvicër dhe ai e mori shtetësinë e Zvicrës në vitin 1997, përcjell sot “Koha Ditore”.

Kosova u pranua si anëtare e FIFA-s në maj dhe po luan në eliminatore për Botërorin “Rusia 2018”. Por emrat si Behrami, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri nuk mund të luajnë për Kosovën në këtë fazë të karrierës, pasi, siç është thënë, ata kanë luajtur ndeshje me Përfaqësuesen “A” të Zvicrës edhe pas pranimit të Kosovës si anëtare në FIFA. Më saktësisht ishin pjesë e Zvicrës në Evropianin “Francë 2016”, shkruan KD.

“Kishte shumë spekulime për mua se do të ndërroja përfaqësuese për të luajtur për Kosovën, mirëpo unë gjithmonë kam thënë se nuk do të tregoja mosrespekt ndaj Zvicrës”, ka thënë Behrami në një intervistë për “BBC Three Counties”.

“Njerëzit kanë nënshkruar peticion për të më lënë mua të qëndroja në Zvicër dhe t’ia kthej shpinën Zvicrës tash pasi vendi im është stabilizuar është diçka që do të më vriste çdo ditë. Dua ta ndihmoj Kosovën, por jo në këtë mënyrë”, shtoi ai.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy S6. 

.