Maja Kocijancic, zëdhënëse e përfaqësueses së BE-së për politikë të jashtme , Federika Mogherini, në një përgjigje për Vizion Plus, ka thënë se arritja e një zgjidhjeje të qëndrueshme mes dy vendve, nënkupton një marrëveshje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Sipas Kocijancic, palët po përcaktojnë bazën për pajtim të përbashkët.
“Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Europian ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet të dyja palëve që i ndihmon të arrijnë përparim në rrugën drejt Europës dhe të përmiresojnë jetën e njerëzve. Nje zgjidhje e qëndrueshme nënkupton një zgjidhje realiste bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Palët po përcaktojnë bazën për pajtim te përbashkët”, ka thënë Kocijancic.
Tutje, Kocijanci ka thënë se në takimin e fundit mes Thaçit dhe Vuçiqit është rishikuar përparimi i arritur deri më tani në fazën e dialogut, dhe se të dy ranë dakord që të takohen përsëri në fillim të shtatorit.
“Gjatë dialogut të thirrur nga përfaqesuesja e nivelit të lartë Federika Mogherini në 24 qershor 2018 kryetarët Thaçi dhe Vuçiç zhvilluan një diskutim inetensiv dhe produktiv në kuadrin e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Ata ranë dakord të intensifikojnë punën në javët e ardhshme. Në takimin e fundit të dialogut ku përfaqësuesja e lartë priti të dy presidentët me 18 korrik, ata rishikuan përparimin e arritur dhe ranë dakord të takohen sërish në fillim të shtatorit”.
Kujtojmë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi tash e një kohë ka përmendur korrigjimin e kufinjve të Kosovës, duke nënvizuar se kjo nuk do të thotë asnjëherë ndarje apo shkëmbim i territoreve.