Lajme

BE nxit juristët e Shqipërisë: Kandidoni për komisionet e rivlerësimeve

By FerizajPress

February 06, 2017

Numri i aplikuesve ka shkuar në 12 deri në mesditën e së hënës, duke u dyfishuar që nga thirrja e ambasadorit Lu, të shtunën. Numri i vendeve që duhen plotësuar është 27; 12 në Komisionin e pavarur të Kualifikimit, 7 në Kolegjin e Apelimit, 2 komisionerë publikë dhe nga 2 zëvendësues për secilin organ.

Kandidatëve u duhet të dorëzojnë 2 kopje dokumentesh, përfshirë një shkresë të nënshkruar prej tyre, ku aplikuesi pranon kufizimet e posaçme për fshehtësinë në komunikimet elektronike, gjatë kohëzgjatjes së mandatit si anëtar i institucioneve të rivlerësimit.

Plot 11 janë kriteret ligjore për të qenë kandidat. Kushti i parë është diplomimi si jurist, e pastaj vijnë me radhë kritere me standardet shumë të larta profesionale dhe morale të kandidatëve. Pjesë e kërkesave është edhe vjetërsia në punë në fushën e së drejtës, të mos ketë qenë subjekt i ligjit të Dekriminalizimit, të mos ketë qenë anëtar apo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, të mos jetë mbi 65 vjeç, si dhe njohja shumë e mirë e gjuhës angleze.

Për të lehtësuar procesin, Avokati i Popullit ka urdhëruar mbajtjen hapur të institucionit të tij deri në orën 8 të mbrëmjes, si dhe po u jepet asistencë edhe të interesuarve me aplikacionet “online”. /Top Channel