Lajme

BE-ja i jep dritën e gjelbër Thaçit dhe Vuçiqit që të diskutojnë shkëmbimin e territoreve

By FerizajPress

August 25, 2018

Komisionieri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn ka thënë se nëse Kosova dhe Serbia pajtohen për ndryshim të kufijve, kjo nuk mund të përdoret si arsye për ndryshime kufijsh në vende tjera në rajon.

Duke folur në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë Hahn ka lënë të kuptohet se Bashkimi Evropian është në dijeni se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Vupiq tashmë janë të fokusuar në negociata për ndryshim kufijsh.

“Pa marrë parasysh se cila është zgjidhja dhe ne nuk përjashtojmë asgjë, duhet ta dimë se gjëja më e rëndësishme është stabiliteti në rajon. Kjo lloj marrëveshje nuk duhet të shtyjë ide të tjera”.

“Pra edhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta bëjë me dije se kjo është një marrëveshje vetëm për këtë rast, që në fund të ditës do të kontribuojë që të krijojë stabilitet, paqe dhe prosperitet në rajon”, u shpreh Hahn.

Hahn ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet mbështetur që ata ta arrijnë një marrëveshje.

“Ne që jemi jashtë, nuk do të ishte e mençur që të intervenojmë në një formë ose në një tjetër. Ne duhet t’ua lëmë atyre por duhet të ju japim çdo mbështetje për ta gjetur një zgjidhje”, ka thënë komisioneri Hahn.

Thaçi dhe Vuçiq: Na duhet marrëveshja për kufirin

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq kanë folur së bashku për herë të parë se ndryshimi i kufijve është opsioni më real për arritje të marrëveshjes mes dy vendeve.

Duke folur në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Kosova është e vendosur që të arrijë një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht të obligueshme me Serbinë.

Sipas tij, tani është koha që të arrihet një marrëveshje e tillë, por shtoi se për këtë qëllim, nevojitet ndihma e të gjitha palëve të përfshira.

Thaçi foli edhe për idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë, në mënyrë që të arrihet marrëveshja finale.

“Ne jemi të vendosur të elaborojmë (eksplorojmë) çdo opsion, duke përfshirë edhe korrigjimin e kufijve, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje”, tha Thaçi.

Sipas tij, vendet e rajonit nuk duhet të kenë frikë nga korrigjimi eventual i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vendet e rajonit dhe BE-ja nuk duhet të jenë kundër ose të kenë frikë nga marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, nëse kjo do të thoshte edhe korrigjim të kufirit. Kjo nuk do të bëhet në linja etnike. Kosova do të jetë një shoqëri shumë-etnike”, u shpreh ndër të tjera presidenti i Kosovës.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se serbët dhe shqiptarët, duhet të flasin me njëri-tjetrin për të zgjidhur problemet, që sipas tij, datojnë për 200 vjet.

Vuçiq tha se kundër tij janë edhe Kisha Ortodokse dhe armiqtë e tij politikë.

“Unë nuk e dua Thaçin, por ne duhet të flasim me njëri-tjetrin. Ne duhet të mundohemt’i zgjidhim problemet që janë duke zgjatur jo që dy vjet, jo që 20 vjet, po që 200 vjet”, tha Vuçiq.

Duke folur për idenë e korrigjimit të kufijve, Vuçiq tha se “askush nuk e di ku janë kufijtë tanë”.

“Unë do të them një gjë, Hashimi do të thotë një gjë tjetër”, u shpreh Vuçiq. Ai u shpreh në favor të ridefinimit apo korrigjimit te kufirit, duke thënë se askush nuk duhet të presë që Serbia ta njohë Kosovën. Andaj si zgjidhje, edhe Vuçiq u ndal te nevoja e korrigjimit të kufirit. /Lajmi.net/