Lulzim Basha zhvilloi një bisedë telefonike me Ndihmës sekretaren amerikane te Shtetit, Victoria Nuland, e cila ishte njëra nga negociatoret kryesore për finalizimin e draftit.
Zyrtarja e lartë e DASH i ka shprehur përgëzimet kreut të opozitës për arritjen e marrëveshjes për reformën në drejtësi. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i PD-së, në një postim në rrjetin social “facebook”.
Nuland ka vlerësuar qëndrimet e kreut të opozitës duke theksuar se “Me qëndrimet dhe veprimet e tua ke dëshmuar se je një patriot për vendin dhe interesat e tij”.
Kryetari i Partisë Demokratike shprehu mirënjohjen për ndihmën e zonjës Nuland për arritjen e konsensusit dhe për vëmendjen dhe mbështetjen e palodhur e të jashtëzakonshme të treguar që në ditën e parë të këtij procesi e deri në finalizimin e tij.
Në vazhdim të bisedës me Nuland, Basha shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen edhe për ambasadorin Donald Lu i cili sipas tij ka luajtur një rol kyç ne këtë proces të gjatë, të mundimshëm dhe të vështirë në Tiranë deri në finalizimin e draftit me konsensus.
Kreu i opozitës theksoi se “Sfida e ardhshme janë zgjedhjet e lira dhe te ndershme dhe për këtë do të kërkojmë një angazhim dhe mbështetje të madhe të SHBA-ve”.