Ferizaj

Basha e Haliti për spitalin e ri të Ferizajt: Akuzat nga opozita janë shpifje, Qeveria i ka ndarë katër milionë euro

By FerizajPress

July 13, 2022

Pas akuzave, të deputetëve të opozitës, përkatësisht nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica, se Qeveria e Kosovës qëllimshëm po e zvarritë projektin e ndërtimit të spitalit të ri të Ferizajt, përmes një konference për medie, kanë reaguar deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha dhe Enver Haliti

Sipas Bashës, akuzat e opozitës ndaj ekzekutivit për ngecjen e punimeve që do të qonin në finalizimin e projektit të spitalit të ri në Ferizaj, janë shpifje.

Gjatë një konference për medie, Basha ka thënë se tashmë Qeveria e Kosovës ka ndarë katër milionë euro për këtë projekt.

“…sot në buxhetin e Kosovës janë 4 milion euro për Spitalin e Ferizajt, që dëshmon se mjetet janë në dispozicion dhe se akuzat nga opozita janë një shpifje e radhës”, ka deklaruar Haliti.

Ai e ka kritikuar pushtetin lokal në Ferizaj, i cili sipas tij, në mënyrë të kundërligjshme e ka vendosur lokacionin e ndërtimit të spitalit. Po ashtu, ai ka thënë se “spitali është nisur nga viti 2013, kur kanë qenë në pushtet mu këta që sot qajnë me lot krokodili”. Duke aluduar në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK)

Deputeti nga Ferizaji, ka folur edhe për kontratën e nënshkruar në vitin 2018, nga Ministria e Shëndetësisë dhe operatori ekonomik Arbëria Com, e cila sipas tij ka refuzuar t’i mbarojë punimet për shkak se komuna atë kohë nuk i ka kalkuluar si duhet shpenzimet e projektit.

“E treta, të njejtit vetëm në vitin 2018 kanë nënshkru kontratën me operatorin ekonomik NNP Arbëria Com, e cila ka refuzu me i mbaru punimet duke u ankuar se projektuesi, i përzgjedhur nga Komuna e udhëhequr nga PDK, nuk i ka kalkuluar mirë shpenzimet e projektit. Si pasojë, kjo kompani ka marrë gati 1 milion euro shtesë nga ministria, ku gati 700 mijë euro kanë shkuar vetëm për armaturë shtesë, për diku mbi 700 mijë kg”, ka deklaruar deputeti Basha.

Sipas deputetit Dimal Basha, për shkak të parregullsive dhe zvarritjes së punëve dhe kërkimit të mjeteve shtesë në vlerë prej pesë milionë eurove nga kompania e kontraktuar, Msh-ja në vitin ka vendosur ta shkëpusë kontratën dhe të dorëzojë kallëzim penal ndaj kompanisë së kontraktuar për kryerjen e punimeve.

 Deputeti Basha ka bërë të ditur se tashmë kanë kërkuar nga “Fakulteti i Ndërtimtarisë pranë UP-së ta bëjë një vlerësim, dhe pas kësaj të vendoset për punimet që duhet ritenderuar që të përfundoj ky spital”.

Në fund, Basha ka thënë se ngecjet e punimeve deri më sot, nuk kanë ndodhur për shkak të Qeverive Kurti 1 dhe Kurti 2, por sipas tij ngecjet kanë ardhur si pasojë e “kompanisë së papërgjegjshme të përzgjedhur nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2018 dhe projektuesit të përzgjedhur nga Komuna, ku kompania refuzon t’i kryej punimet për cka është ushtru kallëzim penal”.

Sipas tij, kompania është ankuar se projekti ka qenë i cilësisë së dobët dhe se i njëjti ka qenë në kundërshtim me paramasën dhe parallogarinë e përgatitur nga projektuesi. VIDEO

https://fb.watch/eeP3HnxG-Q/