Lajme

Basha nga Berlini: Do e transformojmë Shqipërinë në një vend të denjë europian

By FerizajPress

January 28, 2017

Partia Demokratike njofton se tema kryesore e bisedimeve ishte plotësimi i kushteve të Shqipërisë për hapjen e negociatave.

“Politikanët e lartë gjermanë ripohuan qëndrimin e qartë të Bundestagut se ata presin veprime konkrete dhe rezultate të qarta në luftën kundër krimit të organizuar e drogës, dekriminalizmit të politikës, zbatimit të reformës në drejtësi dhe mbi të gjitha mbajtja e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira do ta bindin Bundestagun të hapë dritën jeshile për çeljen e negociatave me Shqipërinë”, thotë PD në njoftimin e saj.

Basha u shpreh se këto prioritete janë në vetvete jetike jo thjesht për integrimin, por për fatin e qytetarëve shqiptarë të cilët po detyrohen ta kërkojnë të ardhmen duke migruar.

Basha u pohoi zyrtarëve gjermanë se ka ardhur koha që Shqipëria të kapërcejë ciklin e krizave dhe dështimeve të përsëritura dhe të hyjë në një kurs normal zhvillimi që do ta kthejë atë në një vend të denjë europian.

Kreu i PD-së ndau vizionin dhe alternativën e tij për transformimin ekonomik dhe politik të vendit. Ai theksoi se hapi i parë në këtë rrugë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

PD thotë se parlamentarët gjermanë rishprehën edhe një herë mbështetjen e tyre të pandryshuar për zhvillimin dhe integrimin europian të Shqipërisë. Ata theksuan pritshmërinë e tyre se Shqipëria do të përqafojë sa më shpejt rrugën e ndryshimeve.

Kryetari i Partisë Demokratike u prit edhe në Kancelarinë Federale nga drejtuesi i Grupit 21 për Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë Globale, Joachim Bertele, z.Knut Abraham përgjegjës për Europën Juglindore dhe z.Mathias Luttenberg, përgjegjës për procesin e Berlinit. Ndërsa në Ministrinë e Jashtme Gjermane Zoti Basha u takua me Christian Hellbach, Drejtor për Europën Juglindore.

Në këto takime, zoti Basha theksoi rëndësinë që kanë për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit, zgjedhjet e lira e të ndershme. Ai i njohu zyrtarët gjermanë me alternativën e opozitës për zhvillimin e vendit, veçanërisht për luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe ofrimit të kushteve dhe sigurisë për investitorët e huaj./ Top Channel/