“Tym i Bardhë” nga selia e PD-së, me palët që duket se kanë rënë dakort! Mazhoranca dhe opozita kanë mbyllur me sukses negociatat e stërzgjatura dhe procesi u mbyll ashtu siç nisi; nga ndërkombëtarët.
Konsensusi është arritur në bazë të një formulimi të Komisionerit Johannes Hahn, i cili ka dhënë edhe formulimin përfundimtar të arritjes së tij.
Kryedemokrati Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat bëri me dije se nesër në senacën plenare partia e tij është gati të japë votën për reformën në drejtësi.
“Jam sot për të ndarë me ju lajmin e mirë, Pas komunikimit më të fundit të rakorduar nga Hahn është rënë dakord roli rakordues. Konkludimi në këtë mënyrë i këtyre dy çështjeve është edhe konkludimi me sukses i betejës së PD-së për një draft kushtetues. Vendimmarrja mbetet në duart e institucioneve shqiptare. Po kështu nuk do të përjashtohet asnjë qytetar shqiptar, – shtoi ai. – Kjo betejë e fundit ka pasur dy qëllime, të mbrojë kushtetutshmërinë dhe parimin e shenjtë që askush nuk mund të ketë pushtet pa pasur llogaridhënie. Ju them se qëndresa jonë dhe besimi im i palëkundur bazohet në dy bindje të thella. Së pari shqiptarët meritojnë një standard europian dhe sidomos për drejtësinë. Bindja ime e dytë ka qenë se partnerët tanë të çmuar, aleati ynë i çmuar SHBA dhe BE nuk do të pranojnë më pak sesa parimet e qytetarëve të tyre”.
“Nuk jam lëkundur për asnjë çast, jo për populizëm, pasi po të hiqja dorë nga këto bindje do të thotë të hiqja dorë nga vetvetja. Kjo sot përmbushet me fitoren e çdo shqiptari. Tani kjo betejë ka përfunduar dhe jam këtu që PD nesër të bashkojë votat për draftin hibrid, me dy çështjet e zgjidhura sipas dakordësisë me komisionerin Hahn”, tha Basha.