Ferizaj

Banorët e Manastircit alarmojnë: Shtyllat e dëmtuara të rrymës po rrezikojnë jetën — kërkohet ndërhyrje urgjente nga KEDS

By FerizajPress

June 06, 2025

Manastirc, Ferizaj — 6 qershor 2025

Banorët e fshatit Manastirc të Komunës së Ferizajt janë të shqetësuar për situatën e rëndë me disa shtylla të dëmtuara të rrjetit elektrik, të cilat prej ditësh qëndrojnë në gjendje të rrezikshme dhe mund të shkaktojnë tragjedi në çdo moment.

Sipas kryetarit të fshatit, situata është raportuar zyrtarisht pranë KEDS-it, operatorit përgjegjës për mirëmbajtjen e rrjetit elektrik, mirëpo deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim konkret nga ana e këtij institucioni. Tela të bartjes së energjisë elektrike, që ende janë në tension, qëndrojnë të varura dhe mund të bien mbi rrugë apo hapësirat e banuara, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e banorëve, fëmijëve dhe kalimtarëve.

“Ne kemi njoftuar KEDS-in me kohë për këtë rrezik të madh. Çdo ditë e më shumë këto shtylla po përkulen dhe rreziku po bëhet edhe më i madh. Po presim ndërhyrje sa më urgjente, sepse jemi të shqetësuar që mund të ndodhë ndonjë fatkeqësi”, tha kryetari i fshatit.

Banorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse, veçanërisht KEDS-it, që të ndërmarrin masa të menjëhershme për riparimin e këtyre shtyllave, për të parandaluar pasoja të mundshme për jetën dhe pronën e qytetarëve.

Ata shprehen të zhgënjyer që deri më tani kërkesat e tyre nuk janë marrë seriozisht dhe apelojnë për përgjegjësi dhe reagim të shpejtë.

“Mos të presim të ndodhë ndonjë tragjedi për të vepruar. Situata është alarmante,” thonë banorët.