Fabrika e asbest çimentos “Salonit” në Han të Elezit, si pjesë e ish-Ndërmarrjes “Sharri”, gjatë viteve 70-ta dhe 80-ta ishte prodhues serioz duke arritur që produktet saja (gypa ujësjellësi/ kanalizimi dhe mbulesa pullazesh për objekte përcjellëse të banimit, industriale, etj.) ti plasonte brenda edhe jashtë Kosovës. Mirëpo ky prodhim në masë pati shumë pasoja negative në shëndetin e punëtorëve të vet prodhuesit nga ekspozimi ndaj fijeve mikroskopike të asbestit dhe të banorëve lokal gjatë kontaktit me prodhimet jo kualitative të asbestit të derdhura në afërsi. Në të vërtetë, të gjitha prodhimet që nuk arrinin standardet e duhura të kualitetit, prodhuesi i derdhte në afërsi të kompleksit industrial dhe përgjatë shtratit të Lumit Lepenc. Gjatë më se 20 viteve, këto mbeturina arritën sasinë e mijërave tonelatave. Ekzistencën e këtyre mbetjeve të rrezikshme, edhe pse në sipërfaqe shumë më të vogël se realisht (0,6 ha), e evidenton edhe Raporti i Mbeturinave dhe Kimikateve (2014) i Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencionit për Mbrojtje të Mjedisit.
Përkitazi me këtë, që nga viti 2010, Ministria kishte planifikuar një projekt për pastrimin e shtratit të Lumit Lepenc dhe Zonës nga mbeturinat e asbestit. Përfundimisht, me realizmin e një projekti gjatë viteve 2013-2015 me kosto prej 1.2 (+0,15) milion euro (raporti i Drejtorisë së Urbanizmit në Han të Elezit), Ministria pretendon se ka pastruar zonën dhe ka transportuar mbeturinat e asbestit në deponinë afër kufirit perëndimor të Hanit të Elezit me Maqedoninë. Projekti është financuar nga vet Ministria dhe është implementuar nga SKP shpk & Coneng, Prizren & Biro Obala & Perkovic Nikica, Slloveni.
Me këtë pretendim të Ministrisë nuk pajtohen banorët e zonës dhe Z.Rufki Suma, Kryetar i Hanit të Elezit. Ai për Organizatën Gjethi deklaroi se “nuk është e vërtetë që zona dhe shtrati i lumit është pastruar nga mbeturinat e asbestit. Në të kundërtën, hapësirës në fjalë iu është hequr vetëm lymi që ka sjellur me vete lumi përgjatë viteve dhe i kishte mbuluar mbeturinat e asbestit dhe një sasi shumë e vogël e atyre mbetjeve e cila është transportuar në deponinë e lartpërmendur. Sasia më e madhe e mbeturinave vazhdon të mbetet aty dhe vetëm është mbuluar me dhe nga zona afër. Gjithashtu gjatë punës, implementuesi kishte dëmtuar në pakthim edhe stadiumin e futbollit dhe një segment të kolektorit kryesor të kanalizimit të këtij qytetit si dhe dyshohet se ka shitur lymin e shtratit të lumit për nevoja bujqësore. Transporti i sasisë së kufizuar të materialit të rrezikshëm deri në deponi ishte bërë pa aplikimin e kurrfarë masash mbrojtëse edhe pse rruga kalon nëpër vendbanime. Pas ankesës që është bërë në Ministri, konkretisht te Ministri dhe Sekretari i Përgjithshëm, implementuesve të njëjtë iu është bërë një aneks kontratë me vlerë 0.15 milion euro për kthimin e zonës në gjendje fillestare. Por edhe pas kësaj ka vazhduar avazi i njëjtë me hedhje dheu në lokacionin e stadiumit e futbollit duke mos e aftësuar atë për lojë kurse në pjesët tjera të zonës (kolektori, etj) nuk ishte intervenuar fare. Komunës më vonë i’u është dashur të intervenojë me fonde publike nga donatorët për të rregulluar atë stadium. Pas të gjitha këtyre, Komuna ka paditur financuesin/ realizuesin e projektit, por çështja është në procedurë e sipër dhe vazhdon të vonohet nga burokracitë e sistemit gjyqësor”.
Se mbeturinat e azbestit nuk janë larguar nga zona është më se evidente dhe kjo mundë të dëshmohet nga të gjithë duke përfshirë edhe aktivistë e Gjethit (fotot e këtij shkrimi). Pa kurrfarë gërmimi mundë të evidentohen mijëra tonelata mbetje asbesti ngjitur lumit Lepenc në vendin e quajtur “Ura e Fejzës” ku afër saj gjenden fusha e vetme e futbollit të vogël, shkolla fillore dhe zona banimi. Përgjatë shtratit të lumit gjithashtu mundë të shihen në sipërfaqe sasi relativisht të mëdha të mbetjeve të asbestit.
Më tmerruese në këtë mes dhe që i mbështesin ato çka u thanë më lart nga banorët dhe Kryetari janë dëshmitë rreth pasojave në shëndet të banorëve të Hanit të Elezit. Sipas një raporti të hartuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Han të Elezit, që nga viti 2012 e deri në vitin 2017, rastet e sëmundjeve me kancer janë në rritje e sipër. Vetëm për një pjesë të vitit 2017 janë identifikuar 13 raste në një lokalitet me më pak se 5000 banorë përderisa janë gjithsej 75 raste të identifikuara që nga viti 2012. Asbestoza (tumori në mushkëri si pasojë e ekspozimit ndaj fijeve të asbestit) është kontribuesi më i madh në këtë mes.
Për të evituar sa më parë ndikimet negative në shëndet dhe për ta shndrruar këtë zonë të degraduar mjedisore (e cila i përket në tërësi zonës urbane të Hanit të Elezit) në zonë me kushte minimale për zhvillim të qëndrueshëm, duhen bërë studime të mirëfillta me kosto realiste dhe duhet implementuar urgjentisht dhe në mënyrë serioze masat e parapara me ato studime. Kjo në parim është më prioritare se aktivitetet tjera zhvillimore në nivel lokal dhe në nivel vendi.
Autor: Sami Stagova, MA në planifikim hapësinor
Organizata Gjethi