Lajme

Bami i Niklës kapet me 5.1 kg heroinë, 500 mijë euro

By FerizajPress

August 02, 2016

Dy persona janë vënë në pranga në Tiranë, pasi shisnin drogë në zonën e ish-parkut të autobusëve dhe në unazën e re. Gjatë operacionit të sotëm janë sekuestruar rreth 5.1 kg heroinë, ndërsa sipas policisë vlera e kësaj lënde narkotike shkon në 500 mijë euro.

Përveç dy personave të arrestuar, në kërkim janë edhe dy të tjerë.

Të arrestuarit janë:

Fadil Bami, nga Nikla e Krujës

Eduart Gjata nga Tirana.

Nga kontrollet në banesën e Bamit në Nikël të Krujës janë gjetur edhe armë.

Deklarata e plotë e Policisë së Tiranës:

Policia e Tiranës ka kryer një tjetër goditje kundër trafikimit dhe shitjes së lëndëve të forta narkotike duke arrestuar 2 persona, shpallur në kërkim 2 të tjerë dhe kapur rreth 5.1 kg heroinë. Operacioni i koduar “Summer 2016” u finalizua sot rreth orës 15:30.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Tiranës arriti përmes një hetimi intensiv 2-mujor në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit gjyqesor Tirane, të dokumentojë veprimtarinë kriminale dhe të arrestojë në flagrancë 2 shtetas për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim” si dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

Të arrestuar janë shtetasit:

Fadil Bami, lindur dhe banues në Nikel të Krujës

Eduart Gjata, 39 vjeç, banues ne Tiranë.

Arrestimi i tyre u krye në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, ku rezultonte se shtetasit Fadil Bami dhe Eduart Gjata në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin aktivitet kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, kryesisht Heroinë, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve dhe Unazës së Re, në kryeqytet.

Nisur nga këto rrethana, agjentet e operacioneve speciale dhe antidrogës, te cilët i mbanin nën vëzhgim të dyshuarit, i ndaluan në një lokal në brendësi të nje kompleksi pallatesh të te reja ne zonen e ish parkut ne momentit qe po kryenin shkembimin e shitjen e lendes narkotike. Nderkohe ne kerkim jane dhe dy bashkepunetore te tjere te cilet jane te identifikuar nga ana jone.

Nga kontrolli i ushtruar në çantën që kishin me vete u konstatuan 10 pako të mbështjella me natriban me ngjyrë kafe dhe qese plasmasi transparente, me lëndë narkotike te dyshuar Heroinë.

Lënda narkotike e sekuestruar në kuadër të këtij operacioni në tregun europian shkon në vlerën rreth gjysëm milion euro. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Fadil Bami, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik dhe dy krehëra me fishekë, gjithashtu u sekuestrua edhe 1 automjet tip “Volswagen”.

Materialet e mësipërme do t’i dërgohen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprat penale“Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajte pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”./Mapo