Lajme

Ballkani frikësohet se Brexit-i do të vonojë ëndrrën e BE-së

By FerizajPress

June 28, 2016

Vendet e Ballkanit që shpresojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian frikësohen se rrugëtimi i tyre drejt anëtarësimit në një klub që e shohin si ofrues të prosperitetit dhe stabilitetit do të ballafaqohet me vonesa dhe pasiguri tani që Britania ka votuar për largim.

Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat dolën nga lufta dhe trazirat në të ’90-at, janë në faza të ndryshme drejt bashkimin në bllokun ende 28 anëtarësh.

Reagimi i menjëhershëm në kryeqytetet ballkanike ndaj referendumit të Britanisë të enjten e kaluar ishte se përpjekjet për anëtarësim në BE do të vazhdojnë, megjithatë, raporton Reuters.

Kryeministri Aleksandër Vuçiq ka thënë se Serbia do ta vazhdojnë “rrugën e saj evropiane”, që synon t’i përfundojë bisedimet për anëtarësim deri më 2019.

Bosnja nuk duhet të dekurajohet nga vota britanike dhe duhet të vazhdojë me integrimin evropian, ka thënë Denis Zvizdiq, kryesues i këshillit të ministrave të Bosnjës, transmeton Koha.net.

Por tani ka nisur të pranohet fakti se rrëmuja e shkaktuar nga Brexit, e cila erdhi në kohën kur BE veçse ka shfaqur më pak entuziazëm për zgjerim, me gjasë do të vonojë pranimin e vendeve ballkanike. Disa kanë ndjerë sikur kanë humbur një kampionat në Londër.

“Frika jonë është se pas Brexit, procesi i zgjerimit do të ngadalësohet”, ka thënë Maja Bobiq, sekretare e përgjithshme e Lëvizjes Evropiane në Serbi, grup ky që promovon vlerat e BE-së.

Ajo thotë se tani që BE po negocion largimin e Britanisë, Brukseli do të fokusohet në atë se si blloku do të mund të konsolidohet, e jo si të zgjerohet.

Shfaqen vështirësitë

Vështirësitë për Serbinë u shfaqën qysh nga e hëna e kësaj jave kur ajo dështoi të fitonte mbështetjen që i nevojitej nga Britania për fazën e ardhshme në negociatat për pranim. Zyrtarët serbë kanë thënë se arsye për këtë ishin arsyet teknike të ndërlidhura me Brexit, transmeton Koha.net.

Kryeministrja serbe e Bosnjës, Zeljka Cvijanoviq, ka thënë se shtetet aspiruese duhet të pranojnë se anëtarësimi në BE do të vonohet nga Brexit “për shkak se do të nevojiten disa vite që BE-ja të konsolidohet dhe të zhvillojë reformat që është dashur t’i kryejë vite më parë për të parandaluar gjëra të tilla”.

Analisti Igor Gavran ka thënë se Bosnja mund të përballet me dështim politik si pasojë e Brexit “sepse Britania ka qenë një prej vendeve që më së hapuri ka mbështetur integrimin e Bosnjës në BE”.

Në Kosovë, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka thënë se edhe vendi i tij, i cili u pavarësua nga Serbia më 2008, ka humbur një përkrahës të fuqishëm në rrugën e saj drejt BE-së.

“E dimë kontributin e madh që Britania e Madhe e ka dhënë ndaj ndërtimit të shtetësisë së Kosovës dhe do të jetë e vështirë që një vend tjetër ta plotësojë këtë vakuum”, ka thënë ai për mediat lokale, transmeton Koha.net.

Një zyrtar i Shqipërisë ka thënë se vendi i tij ka mësuar se krizat e mëdha, siç janë çështja e migrantëve, euroja dhe Greqia, kanë shpërqendruar liderët e BE-së nga Ballkani.

Negociatori i Malit të Zi për BE-në, Andrija Pejoviq, ishte optimist se negociatat për anëtarësim do të mund të shkonin sipas planit, por ka pranuar se çështjet janë të paqarta.

“Ditëve në vijim do të shohim se çfarë qëndrimi do të mbajnë organet e BE-së në lidhje me këtë çështje”, ka thënë ai.

Për Maqedoninë, asgjë s’ka ndryshuar në periudhën post-Brexit. Kërkesa e tyre për anëtarësim vazhdon të jetë e bllokuar si pasojë e një mosmarrëveshjeje me Greqinë për shkak të emrit të saj, për të cilin Athina thotë se i takon provincës së saj me emrin e njëjtë, Maqedoni.