Lajme

Balili në Shqipëri, Policia po e kërkon me metoda speciale

By FerizajPress

January 26, 2017

Burimet zyrtare nga prokuroria dhe Policia e Shtetit, i thanë ABC Neës se po punohet në rrugë operative dhe me metoda speciale për të gjurmuar vendstrehimin e Balilit, tashmë i shpallur në kërkim me vendim të gjykatës së krimeve të rënda.

Dyshohet se ai fshihet brenda territorit shqiptar pasi në sistemin TIMS rezulton se nuk ka kaluar kufirin. Nga ana tjetër, nuk përjashtohet pista e hetimit të largimit të tij nga Shqipëria edhe në mënyrë ilegale apo dokumente të tjera te falsifikuara.

Burimet thonë, se veç shpalljes në kërkim brenda territorit shqiptar dhe pikave të kalimit kufitar Balili është shpall edhe në kërkim ndërkombëtar. Por te faqja zyrtare dhe publike e INTERPOLIT, me emrin e Klemend Balilit ende nuk figuron ndonjë e dhënë siç ka ndodhur me rastet e personave të tjerë të shpallur në kërkim.

Burimet nga policia dhe prokuroria thonë se është i vështirë identifikimi i vendndodhjes së Balilit, pasi njerëzit pranë tij përdorin numra telefoni të paregjistruar në emrin e tyre apo pjesëtarëve të familjes, të cilat vazhdojnë të blihen në tregun e zi.

Pavarësisht kësaj, burimet thonë se me metoda speciale janë në vëzhgim thuajse të gjithë pjesëtarët e familjes së tij. Ndërkohë, një burim operativ mësohet se i ka thënë grupit hetimor të çështjes, se njerëzit e Kelmend Balilit komunikojmë me këtë të fundit vetëm me letra dhe me anë të korrierëve,te cilët nuk janë pjesëtare apo të afërm të familjes.

Kjo është një tjetër pistë përmes se cilës po punohet për të identifikuar këto persona. Komunikimi me letra, për hetuesit tregon se është me e mundshme pista që Balili nuk është larguar nga Shqipëria por ndodhet brenda territorit

Për mos gjetjen dhe arrestimin e tij nga policia, kohët e fundit ka pas reagime edhe të ambasadorëve të huaj, ministrave të qeverisë si dhe angazhimi i kreut të Kuvendit Ilir Meta, i cili i ka kërkuar përmes një letre, Presidentit të Republikës të mbledh këshillin e sigurisë kombëtar. Kërkesë, e cila është pranuar nga Presidenti, qe shumë shpejt do të njoftoje edhe datën e mbledhjes së anëtarëve të këshillit të sigurisë kombëtare.

Kelmend Balili akuzohet nga autoritet greke dhe shqiptare, si kreu i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës në kuadër të organizatës kriminale, e cila dyshohet se funksionon prej vitesh.