Sport

Babai i Balajt: Ja çfarë më ka bërë qyteti pasi shënoi biri im

By FerizajPress

October 09, 2016

Goli i dytë në Vaduz ishte i gjithi nga Malësia e Madhe. Elseid Hysaj që krosoi dhe Bakim Balaj që shënoi me kokë janë me origjinë nga Reçi, një fshat i vogël në Malësinë e Madhe.

Festë e madhe, qindra urime dhe shumë emocione për sfidën e shumëpritur ndaj Spanjës të dielën në “Loro Boriçi”. Në një intervistë për gazetën, i ati i Bekimit, Avdyl Balaj, rrëfen emocionet që përjetoi pas golit të sulmuesit dhe qindra urimet që kanë vërshuar për të ditën e djeshme. Dje, ka qenë një ditë e ngarkuar për të në qytetin ku jeton, shkruan Panorama Sport.

Si e përjetuat golin që shënoi Balaj ndaj Lihtenshtejnit? Përjetova një kënaqësi të madhe që Bekimi shënoi. Por, u lumturova edhe më shumë për faktin se ai gol u gatua plotësisht nga dy futbollistë që kanë lindur në Reç të Malësisë së Madhe, Hysaj që krosoi dhe Balaj që shënoi. E kam ndjekur me shumë emocion atë ndeshje, si të gjitha takimet e tjera të Kombëtares. Jam gëzuar shumë edhe për fitoren. Kisha parandjenjë se Bekimi do të shënonte.

Çfarë ka ndodhur pas ndeshjes dhe gjatë ditës së sotme (dje)? Mesazhet e urimit kanë qenë të pafundme për golin e Bekimit. Më kanë shkruar jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga jashtë. Ndërsa sot (dje), siç po e shihni, po më takojnë dhe urojnë të gjithë. Është një atmosferë shumë e gëzueshme dhe të gjithë më përgëzojnë. Këtë atmosferë të krijuar në Koplik do t’ia përcjell edhe djalit, që të jetë sa më i karikuar për sfidën me Spanjën. Gjithashtu, dua të më mirëkuptojnë edhe ata që nuk kam mundur t’i shoqëroj në kafe, pasi ka qenë e pamundur për shkak të kohës.

Të dielën sfida ndaj Spanjës, prisni një tjetër gol nga Balaj? Shqipëria është një ekip shumë i mirë, dhe pa ndihmën e lojtarëve të tjerë, ai nuk do arrinte dot të shënonte ndaj Lihtenshtejnit. Megjithatë, uroj shumë që të realizojë edhe të dielën dhe pse jo të mos surprizojmë në sfidën me Spanjën.

Besoni te një kualifikim i mundshëm në Botëror? Fillimi është i shkëlqyer me dy fitore dhe vendi i parë në grup. Është shumë shpejt për të dhënë një gjykim përfundimtar. Megjithatë, përderisa arritëm të kualifikoheshim në Europian, çdo gjë mund të ndodhë. Për momentin, i uroj Shqipërisë të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e së dielës ndaj Spanjës në “Loro Boriçi”.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy S6. 

.