Lajme

 Azem Syla nuk gjendet në burg

By FerizajPress

September 24, 2016

Syla, është “sëmurë” fill pasi Gjykata e Apelit ka miratuar kërkesën e prokurorit kundër vendimit të shkallës së parë që la të lirë Sylën pas dyshimeve se ishte përpjekur të ndikonte tek një dëshmitar i mbrojtur.

Burime të Insajderit kanë treguar se kur shërbimi korrektues ka shkuar për ta arrestuar Sylën në shtëpi, familjarët i kanë thënë se ndodhet në spital.

Sipas burimeve, EULEX-i kishte thirru Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës për ta marrë në QKUK, por mjekët kanë thënë se gjendja e Sylës është e rëndë.

“Mjekët janë arsyetuar se nuk mund të nënshkruajnë dërgimin e Sylës në burg në këtë gjendje”, ka thënë burimi.

Ndërkohë, një gjyqtar i EULEX-it ka urdhëruar mjekët që deri të hënën të kryejnë të gjitha ekzaminimet. Nëse nuk e bëjnë këtë, gjyqtari ka paralajmëruar se do të sillet një mjek i EULEX-it. Syla ishte sëmurë edhe javën e kaluar, kur qe arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.

“Dy orë pasi Gjykata ka vendosur që ta lirojë Sylën, ai ka dalë nga spitali pa asnjë problem”, ka thënë një burim tjetër.

Azem Syla aktualisht ndodhet në një nga dhomat VIP të QKUK-së që shfrytëzohen nga të burgosur me ndikim siç janë ish-komandantët e UÇK-së.

Azem Syla është arrestuar sot gjatë ditës pasi që Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorit të Eulex-it për paraburgimin e tij në rastin e njohur si “Toka”, me arsyetimin se ka bërë përpjeje për të ndikuar në dëshmitarin e mbrojtur.

Sylës i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej dy muajsh, raporton Gazeta Online Insajderi.

Gjykata ka bërë të ditur se e mori këtë vendim pasi ka vlerësuar se ekziston rrezik i lartë i pengimit të procesit duke ndikuar në dëshmitarë, “andaj vendosi që ndaj tij të shqiptoi masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej dy muajsh”.