Ferizaj

AVONET : “Të frustruarit e politikës sulmojnë shoqërinë civile”

By FerizajPress

May 20, 2016

“Të frustruarit e politikës sulmojnë shoqërinë civile” – përgjigje në akuzat e organizatës “Demokracia Studentore”

Ferizaj,20 maj 2016 . Rrjeti i OJQ-ve “AVONET” i vlerëson si të pabaza, joserioze dhe tendencioze pretendimet e organizatës së ashtuquajtur “studentore” – “Demokracia studentore”. Kjo për faktin se drejtuesit e kësaj organizate nuk janë kredibil në publik, ngaqë deri më tani kanë ndërruar disa role publike, herë duke qenë pjesë e politikës e herë duke qenë pjesë e shoqërisë civile. Si duket, mos rehatia e tyre qoftë në politikë, qoftë në shoqëri civile i ka mllefosur dhe shtyrë këtë organizatë të shpif për gjitha organizatat aktive dhe personat e angazhuar në Komunën e Ferizajt.

Pretendimet e kësaj organizate se janë blerë “organizatat e shoqërisë civile” nga pushteti, mund të deshifrohet shumë thjesht, vet organizata që ka pretendime të tilla ishte dhe mbetet peng i politikës ditore në nivel lokal, nga grupe periferike politike.

Papritmas, me vet kompetencë, kjo organizatë konstaton se ky truall i takon Universitetit dhe aty duhet të ndërtohet Mensa dhe Konvikti i Universitetit. Kjo tregon për seriozitetin e këtij kundërshtimi, aq më shumë kur kjo organizatë nuk ka prezantuar kurrfarë analize/hulumtimi për nevojat për ndërtimin e këtij institucioni.

“Demokracia studentore” përmes satelitëve të saj si “Forumi i organizatave rinore të Ferizajt”, ‘Aktivizmi Demokratik” – organizata këto të krijuara rishtazi dhe pa kontribut në nivel lokal sulmon Rrjetin “Avonet” kinse për numrin e madh të organizatave në rrjedh dhe numrin e vogël të drejtuesve të saj. Kjo bie ndesh me parimin e lirisë së asociimit gjë që për këtë organizatë nuk kuptohet si parim.

Tjetra, në deklarimet e tyre publike në portale, pretendojnë se organizata jonë ka bërë keqpërdorime të natyrave të ndryshme, ndërkohë nuk prezantohet asnjë fakt.

Kjo paraqet shantazh dhe shpifje ndaj organizatës sonë, për të cilën ne ftojmë këtë organizatë që pretendimet e saja t’i adresojë në organet e drejtësisë. Në ndërkohë, ne po përgatisim një padi për shpifje ndaj kësaj organizate e cila sulmon këdo që nuk është si ata, pa fakte dhe argumente.

Përfundimisht, Rrjeti i OJQ-ve “AVONET” i konsideron këto sulme të motivuara politikisht nga grupe apo individë të caktuar dhe si të tilla do ti ndjek ligjërisht.

Me respekt, z. Kenan Gashi Rrjeti i OJQ-ve “Avonet”