Lajme

Automjetet me defekte, gjobiten dhjetëra shoferë

By FerizajPress

October 26, 2016

Policia Rajonale e Gjilanit është duke e zbatuar një plan operativ, qëllimi i të cilit është identifikimi i automjeteve që teknikisht nuk janë në rregull e që qarkullojnë në rrugët e vendit.

Në këtë mënyrë, njësitet e trafikut kanë ndalur dhjetëra automjete të ndryshme, të cilat i kanë dërguar për kontrollim teknik.

Sipas Policisë së Gjilanit, ndërmjet datave 13 e 25 tetor, për shkak se pas kontrollit automjetet e tyre kanë dalë teknikisht jo në rregull janë gjobitur 84 shoferë.

Kështu, në “kontrollim teknik të jashtëzakonshëm”  kanë rezultuar në gjendje jo të rregullt 23 kamionë, 14 autobusë, 24 furgonë dhe 23 vetura.

Kontrolli është i përqendruar sidomos te mekanizmi drejtues i automjeteve, frenues dhe ai i ndriçimit, gjendja e pneumatikëve, parafangot, etj., defekte që sipas Policisë besohet se janë faktorë kontribues të aksidenteve në komunikacion.

Me këtë rast, 18 kundërvajtje u janë shqiptuar pronarëve te firmave të cilët kanë urdhëruar vozitësit të drejtojnë automjetet në gjendje jo të rregullt teknike, kryesisht autobusë dhe mjete të tjera të transportit të njerëzve dhe mallrave.

Me qëllim të parandalimit të aksidenteve me fatalitet dhe lëndime të rënda, Policia e Gjilanit njofton se do të vazhdojë të largojë nga trafiku të gjitha mjetet motorike që nuk i plotësojnë kushtet teknike për qarkullim të sigurt.

.