Instituti ATOMI që merret me identifikimin dhe përkrahjen e personave me inteligjencë të jashtëzakonshme në Kosovë ka arritur edhe një njohje të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare.
ATOMI është certifikuar nga Këshilli Evropian për Aftësi të Lartë (European Council for High Ability – ECHA) si Pikë Evropiane për Talentet (European Talent Point – ETP) në Kosovë. Si rezultat i kësaj, ATOMI tashmë është bërë anëtare e Rrjetit Evropian për Përkrahjen e Talenteve (European Talent Support Network – ETSN) së bashku me 28 organizata të tjera të vendeve të ndryshme evropiane. Kjo është një arritje shumë e rëndësishme për një organizatë nga Kosova, e cila bën punë profesionale të krahasueshme me organizatat homologe evropiane, megjithëse me resurse shumë të kufizuara financiare, infrastrukturore e profesionale. Për dijeni, vet ECHA është organizatë evropiane, e cila mbanë statusin e organizatës konsultuese në kuadër të Këshillit të Evropës.
Kjo është arritja e dytë e ATOMI-t në nivel ndërkombëtar, meqë para dy vitesh edhe MENSA, organizata më e madhe ndërkombëtare që merret me personat me inteligjencë të jashtëzakonshme në botë, e cila ka shtrirje në më shumë se 100 vende të botës, kishte konfirmuar se i njeh dhe i certifikon praktikat, instrumentet dhe rezultatet e ATOMI-t.
Sipas Jusuf Thaçit, Drejtor Ekzekutiv i Institutit ATOMI, “kjo njohje dhe ky reputacion i mirë evropian e ndërkombëtar për ATOMI-n vjen si rezultat i zbatimit të standardeve, kritereve dhe praktikave më të mira shkencore, profesionale e etike, evropiane e ndërkombëtare, që ATOMI bën gjatë punës dhe aktiviteteve të veta”.
Megjithatë, është me rëndësi të theksohet se pavarësisht punës së mirë që ka bërë ATOMI që nga viti 2011 në funksion të identifikimit dhe përkrahjes së nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme në Kosovë dhe pavarësisht se puna e ATOMI-t pranohet e çmohet edhe në nivel evropian e ndërkombëtar, ATOMI tashmë rrezikon ta shuaj aktivitetin e vet për shkak të mungesës së përkrahjes financiare nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).
Sipas Thaçit “shuarja e ATOMI-t do të ishte një humbje e madhe për Kosovën, përkatësisht për kategorinë e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente, të cilët kanë nevojë të identifikohen e të përkrahen, në mënyrë që ta zhvillojnë potencialin e tyre dhe pastaj t’i kontribuojnë zhvillimit të gjithëmbarshëm të vendit dhe shoqërisë sonë në të ardhmen”.