Ferizaj

ATK mban seminar me tatimpaguesit në Ferizaj

By FerizajPress

February 12, 2020

Në bashkëpunim me Këshillin Kosovar për Raportim Financiar, Administrata Tatimore e Kosovës ka organizuar seminar me tatimpaguesit në Kuvendin Komunal të Ferizajt. Drejtori i epartamentit për regjistrim dhe shërbim të tatimpaguesve të Kosovës, Sabit Salihu, tha se temat që u prezantuan gjatë seminarit janë aplikimi i ngarkesës së kundërt për TVSH në ndërtimtari, pastaj deklarimi vjetor për bizneset individuale, personat juridik, koorporatat dhe ortakëritë dhe risitë sipas ligjit të ri për kontabilitet, raportim dhe auditim.

“Do t’i informojmë tatimpaguesit për konsolidimin e mbledhjes së detyrueshme të bërë nga Aministrata Tatimore në një qendër, pra në Prishtinë. Do t’i informojmë për themelimin e divizionit për menaxhimin e rimbursimeve ku ATK-ja në vazhdimësi është duke punuar për të bërë menaxhimin e rimbursimeve në mënyrë automatike, pastaj do t’i informojmë për modernizimin e sistemit të teknologjisë informative në Administratën Tatimore. Po ashtu, për projektet që Administrata Tatimore i ka në vazhdimësi siç është projekti i ndërtimtarisë dhe pastaj do të vazhdojmë me projektin për mbushjen në sektorin e hotelerisë dhe për evidentimin e të punësuarëve të paregjistruar tek kompanitë, si dhe informatë tjetër si risi do të jetë edhe hartimi i planit të integritetit të Administratës Tatimore të Kosovës”, tha Sabit Salihu.

Disa nga kontabilistët ferizajas që morën pjesë, thanë se seminare të tilla janë të nevojshme për ta.

“Ne kontabilistët e shfrytëzojmë këtë seminar që është tepër me rëndësi dhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të mbledhjes së të ardhurave të autoritetit tatimor të Kosovës. Atë që e ka për fund të vitit është se ne kemi në fund të vitit disa formularë PD dhe CD, ato i kemi me ndryshime ku ata sot do të na shikojnë se çfarë ndryshime do të ketë dhe si do të jepen ato ndryshime, çfarë ndryshime kanë formularët e tyre. Nuk janë si vitin e kaluar, por kemi ndryshime këtë vit diçka tjetër”, tha Fehmi Ademi.

“Çdo seminar i ka ato qëllimet pozitive e në veçanti do të mund të thoja për djemtë dhe vajzat e reja të cilët ndoshta kanë filluar edhe vitet e kaluara ose tash përkundër dispozitave ligjore të cilat janë, megjithatë organizimi është bërë, seminari e ka atë anën pozitive ngase çdokush informohet për risitë në fushën e kontabilitetit dhe TVSH-së”, tha Hysni Elezi, kontabilist.

Administrata Tatimore e Kosovës, takime të tilla mban shpeshherë me tatimpaguesit në qytetet e vendit, me qëllim informimin lidhur me procedurat që i hasin gjatë punës, transmeton Televizioni Tema.