Ferizaj

Asllan Bajrami: Çështja e kthimit tim nuk është çështje e drejtorit Karameta, e as e juristit të QKMF–së, por është çështje juridike

By FerizajPress

April 09, 2016

Pas konferencës për medie   të Drejtorit të DSHMS-së Burim Karameta ,ka reaguar  Asllan Bajrami, ish drejtori i QKMF-së  i cili ishte shkarkuar kohë më parë. Bajrami ditë më parë ka marrë edhe një vendim  prej Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, sipas të cilit  do të duhej të kthehet në vendin e Drejtorit të QKMF-së.

Reagimin e plotë të  Asllan Bajramit mund ta lexoni në vazhdim: 

Reagim ndaj konferencës për shtyp ku vlerësohet performanca e drejtuesve aktual të QKMF – së

Në konferencën e drejtorit të DSHMS – së për media, të premten, u vlerësua si e jashtëzakonshme performanca e menaxhmentit aktual të QKMF – së. Meqë përveç “performancës së jashtëzakonshme” aty u kalkulua edhe emri im, jam i obliguar moralisht që të reagoj ndaj pikave që më atakojnë.

Qysh në fillim vërehet se drejtori Karameta bën një maskim të realitetit, flet për menaxhmentin aktual sikur të ishte një menaxhment tërësisht i ri, ndërsa e vërteta është se aty është ndërruar vetëm një pozicion, në vend timin si drejtor, është vendosur ushtruesja e detyrës së drejtorit, ndërsa të tjerët janë po ata që kanë qenë edhe më parë. Më vjen mirë që ushtruesja e detyrës ka treguar këtë performancë, por në këtë konferencë, mjerisht, nuk është dhënë as edhe një element bindës nga të dhënat e Zyrës për Cilësi të Shërbimeve, koordinatore e së cilës është pikërisht ushtruesja e detyrës së drejtorit. Të dhëna nga kjo zyrë do t’i bënin më të besueshme fjalët, të cilat sado të bukura qofshin, janë vetëm fjalë dhe jo fakte, për të cilat kemi aq shumë nevojë dhe njëkohësisht u shmangemi aq shumë.

“Performanca e jashtëzakonshme” e menaxhmentit mbështetet ekskluzivisht në inkasimin e mjeteve financiare, parave, sikur të bëhej fjalë këtu për ndonjë ndërmarrje tregtare, e jo për një institucion publik shëndetësor, që do të duhej të vlerësohej duke u mbështetur në parametra të tjerë. Është për t’u habitur me këtë kujdes kaq të madh për të treguar “performancën e suksesshme”, nga një person, siç është drejtori në fjalë, që pamëshirshëm e shpërfillë transparencën kur bëhet fjalë për ngutinë në shpërndarjen e mjeteve financiare në fund të vitit, pas shkarkimit tim, për të mos mbetur suficit. Këto mjete financiare u janë dhuruar operatorëve ekonomik para se të vijnë pajisjet e porositura. Drejtori Karameta i kujdesshëm për dhënien e epiteteve menaxhmentit aktual, është tejet i pakujdesshëm dhe aspak transparent për të treguar se nga kush janë porositur ato pajisje, cili nga trupat e QKMF – së e ka parë të nevojshme që ato pajisje janë të domosdoshme në kujdesin primar. Nuk tregon se një pjesë nga mjetet e mbetura financiare të vitit 2015, gjithsejtë 70 mijë euro, kanë qenë të dedikuara për ndërtimin e objektit-aneks për skreningun e qafës së mitrës dhe kjo shumë mjetesh ka qenë në dispozicion që nga janari 2015. Meqë ndërkohë objektivat e drejtorit Karameta ndryshuan, mjetet e mbetura duhej të shpenzoheshin dosido, pa u mbështetur në ndonjë kriter dhe pa zgjedhur rrugët e duhura. Porositen pajisje të teknologjisë së avancuar, përkundër faktit se edhe ato që janë blerë më parë edhe më tej vazhdojnë të jenë më tepër si dekor për hapësirat e emergjencës primare. Janë këto pajisje të cilat unë i kam refuzuar për të vetmin fakt se në QKMF, në radhë të parë ka nevojë për mjete themelore të punës: për stetoskopë, tensionmetra, për pajisje mbrojtëse nga rrezatimi, për ngrohje në AMF, për klorizim të puseve të ujit në AMF e shumë nevoja të tjera imediate. Dhe të gjitha këto mjete të mbetura financiare u janë dhënë si parapagim kompanive të besueshme, janë dhënë të gjitha në muajin dhjetor 2015 dhe atë më 22 .12.2015 janë dhënë 22 760 € , po të njëjtën ditë 22.12.2015 janë dhënë edhe 27 413.40 €, më 23.12.2015 janë dhënë 13 335 €, ndërsa më 24.12.2015 edhe 6 314 € etj. që të gjitha arrijnë vlerën prej 69 822.40 € me të cilat janë sponzoruar operatorët e besueshëm. Vetëm njërës kompani i janë dhënë 50 173.40 €. Se sa janë legjitime veprimet e tilla do të sqarojë Njësiti për krime ekonomike. Por nga e gjithë kjo shihet qartazi se shkarkimi im, i ka shërbyer drejtorit Karameta për të dalë faqebardhë në fund të vitit 2015, se ndryshe nuk do të mund të mbulonte paaftësinë e menaxhimit të mjeteve financiare. Kjo ngarendje në shpenzimin e parave është bërë vetëm me një qëllim, për mos u kthyer mjetet financiare në thesar dhe për të mos u  shfrytëzuar nga ata që dinë si t’i shfrytëzojnë.

Qytetarët e Ferizajt janë të njoftuar tanimë me oreksin e drejtorit Karameta për të siguruar pajisje të teknologjisë së avancuar, por nuk duhet harruar se as teknologjia e avancuar e as inkasimi i mjeteve financiare, nuk janë indikator i suksesit të një institucioni shëndetësor i cili pohon të ketë prioritet shëndetin e pacientit. Vënia në plan të parë e inkasimit të parave është një zhgënjim për pacientët që kërkojnë shërbime në QKMF, sepse edhe ata janë stërlodhur duke qenë objekt dhe burim i përfitimit material, edhe aty ku drejtohen kur janë në pikë të hallit. Ndërsa për dhënien rëndësi, në radhë të parë, nivelit të profesionalizmit siç do të duhej, duket as që bëhet fjalë,  sepse siç shihet kjo është çështja e fundit që i preokupon ‘krerët’ e shëndetësisë së Ferizajt, të cilët kanë harruar se kur të vije koha e rilicencimit të Mjekësisë Familjare, Kolegji Mbretëror Britanik nuk pyet për inkasim të parave, për to nuk pyet as UNICEF-i dhe MSH që më 9 dhjetor e vlerësuan lartë performancën e shërbimit të Vizitave Shtëpiake për Nëna dhe Fëmijë. Ata nuk pyesin për inkasim sepse kanë parametra të tjerë shkencorë e profesional për t’i vlerësuar shërbimet që ofrohen në QKMF.

Edhe pse në konferencën e drejtorit Karameta përmendet krahasimi me periudhën e menaxhimit tim dyvjeçar, askund nuk specifikohet se cilën periudhë të menaxhimit të tanishëm e merr për bazë, sepse gjithsejtë janë katër muaj të kësaj udhëheqje dhe ndoshta është i ngutshëm ky entuziazëm, krahasimi i një periudhe 4 mujore me një tjetër 24 muajshe, sado që të vlerësohet i suksesshëm duhet ende shumë kohë që të dëshmohet si i tillë.

Kur flet për projektet që do të realizohen gjatë këtij viti,  ndër to edhe rregullimi i oborrit të QKMF – së, drejtori Karamete është dashur të përmend se ky ka qenë një projekt i vitit 2015, por që nuk është realizuar, përkundër mjeteve të mbetura pa u shfrytëzuar. Më tepër se projekt për t’u krenuar me të, është një projekt që duhet të renditet në mesin e dështimeve të mëparshme. Ndërsa projekti i ndërtimit të QMF – së në fshatin Dardani për vitin 2016, vlen të theksohet se kjo QMF parashihej të ndërtohej në fshatin Nerodime e Ulët ku graviton popullata e pesë fshatrave (Nerodime e Ulët, Nerodime e Lartë, Manastirc, Balaj dhe Jezerc) të cilëve aktualisht u ofrohen shërbime vetëm tri herë në javë. Se cila është arsyeja e ndërrimit të vendit, është politike apo thjeshtë një ndëshkim ndaj meje që banoj në fshatin Nerodime, këtë e di më mirë drejtori Karameta.  Nëse në fshatin Dardani graviton një numër më i madh i banorëve, atëherë ndërtimi i QMF – së nuk duhet të proklamohet si sukses personal, por si përmbushje e obligimeve që dalin nga politikat e Ministrisë së Shëndetësisë, por gjithnjë duke pasur parasysh që ata 10 mijë banorë të jenë të komunës së Ferizajt, e jo të fshatrave të komunës së Vitisë.

Sa për ofertën e kthimit tim në punë si stomatolog në QKMF, duhet të them se unë jam kthyer në punë në janar, sipas kontratës së punës që e kisha më parë dhe e cila nuk do të duhej të atakohej pas shkarkimit nga posti i drejtorit, mirëpo udhëheqja e QKMF – së dhe drejtori Karameta nuk më kanë lejuar të filloj punën. Është e habitshme se nga çka motivohet dhe në çka mbështetet oferta e tanishme për t’u kthyer në punë si stomatolog pasi më kanë larguar njëherë, si mund të kthehem pa konkurs dhe pa procedura të tjera të ligjshme, kur dihet se bëhet fjalë për një institucion publik ku nuk do të duhej  të ftohen njerëzit në punë si në ‘odë të mixhës’. Edhe nëse do të shpallej konkurs, ai do të ishte i kurdisur dhe unë nuk mund të hyjë në një garë me kolegët e rinj që do të konkurronin meqë kanë nevojë për punë.  Ndërsa sa i përket kthimit tim si drejtor në QKMF, sipas vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, megjithëse përmendet qëndrimi i kryetarit Svarqa, pamundësia e kthimit tim është rezultat i zhdërvjelltësisë së veprimeve të drejtorit Karameta dhe juristit të QKMF – së, veprime të cilat e kanë vënë kryetarin edhe në pozitën e interpretuesit të ligjeve në mënyrë laike, publikisht, pa e çarë kokën se interpretimet e tilla bien ndesh me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Drejtori Karameta dhe juristi i QKMF – së i kanë ofruar kryetarit “çorbën me gozhda” që dihet se në asnjë rast njerëzit e ndershëm nuk ia ofrojnë bashkëpunëtorëve dhe miqve. Unë jam i bindur se kryetari nuk do të bie në grackën e atyre që i servojnë ushqime të tilla, sepse ai është zgjedhur me vota të popullit dhe për asnjë çmim nuk do ta shkelë besimin e qytetarëve. Gjithashtu, besoj se zyrtarët ligjorë të komunës që qenkan duke u marrë me çështjen time, nuk besoj se janë aq joprofesionist sa të prapësojnë vendimin e prerë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se çështja e kthimit tim nuk është çështje e drejtorit Karameta, e as e juristit të QKMF – së që ka vënë bast për moskthimin tim, por është çështje juridike.

Shpresoj që në të ardhmen do të krijohen mundësitë që qytetarëve t’u ofrojmë më shumë shërbime shëndetësore cilësore dhe profesionale, për çka ta kanë aq shumë nevojë, sesa konferenca për media dhe kundërvënie maratonike.

 

Drejtori i QKMF – së në kthim

Dr. Asllan Bajrami

09.04.2016

Ferizaj

.