Ferizaj

Ashkanlinjët e Ferizajt shënjon Ditën e Flamurit të tyre

By FerizajPress

February 15, 2017

Në palestrën e sporteve “Bill Klinton” në Ferizajt, të mërkurën ashkanlinjët kanë festuar Ditën e Flamurit të tyre kombëtare.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë udhëheq të këtij komuniteti, por edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa. Me këtë rast kryetari Svarqa është shprehur se festat kombëtare paraqesin një rast të mirë për të reflektuar lidhur me gjendjen e komuniteteve etnike, aktualitetin dhe perspektivat e zhvillimit të tyre.

“Komuniteti ashkanli është komuniteti më i madh pakicë në komunën e Ferizajt dhe si i tillë është inkuadruar në të gjitha rrjedhat politike, ekonomike, shoqërore, arsimore e kulturore të kësaj komune. Pjesëtarët e këtij komuniteti, ndonëse në numër jo të kënaqshëm, marrin pjesë aktivisht në jetën shoqërore. Ata janë qytetarë të barabartë me të gjithë të tjerët dhe nuk është shënuar ndonjë diskriminim, për shkak të përkatësisë etnike. Kjo tregon ndërtimin e një kulture në vendin tonë, e cila i pranon ndryshimet si pasuri të këtij vendi. Shumësia e ngjyrave, e prejardhjeve etnike, e kulturave dhe e mendësive, përbëjnë bukurinë e koloritit të një vendi. Nuk ka pse të jetë ndryshe, as të kuptohet ndryshe edhe në vendin tonë. Veçse ne si shoqëri, por edhe si individë, duhet të kujdesemi që ato dallime të jenë sa më funksionale dhe të na afrojnë, në vend se të na ndajnë. Me punën, kujdesin, angazhimin tonë të përditshëm dhe me vlerat individuale e shoqërore që krijojmë, duhet të bëhemi të tillë që të jemi të nderuar dhe të krenohemi për atë që jemi. E shikoni se si po krenohemi të gjithë me sukseset e Majlinda Kelmendit dhe të ndonjë këngëtareje që ka bërë emër në skenat ndërkombëtare. Me këta emra duhet të krenohemi të gjithë ne si kosovarë dhe t’i kemi si modele se si mund të arrihen sukseset individuale dhe kolektive me talent, punë dhe përkushtim”, tha Svarqa duke shtuar se është shumë i kënaqur që shumica e ashkanlinjve janë mishëruar me Ferizajn dhe Kosovën si atdhe të tyre dhe kanë vendosur që me komunitetet tjera, përfshirë edhe komunitetin shumicë, t’i ndajnë të mirat dhe të këqijat, arritjet dhe rrugëtimin e përditshëm ekonomik e shoqëror.

“Unë kam pasur takime të shumta me pjesëtarë të komunitetit tuaj, kam parë hallet, vështirësitë dhe brengat e shumta që lidhen me cilësinë e jetesës e të mirëqenies. Por, dëshiroj ta theksoj se e arritura më e madhe e vendit tonë është fakti që gjithnjë e më shumë qytetarët tanë të komuniteteve të tjera, nuk ju shohin vetëm si ashkanlinj, por si qytetarë të Kosovës, me të drejta të barabarta në të gjitha fushat e jetës. Prandaj edhe unë si kryetar komune, jam i gatshëm të ofroj gjithë mbështetjen time për zhvillimin ekonomik e shoqëror të pjesëtarëve të komunitetit ashkanli, jo vetëm si të tillë, por si qytetarë të barabartë. Mirëpo, dua që me këtë rast t’ju jap edhe një porosi: përpiquni të mos bëheni nevojtarë për ndihma! Në vend se të prisni ndihmën e të tjerëve, përpiquni ta ndihmoni veten tuaj! Mbi të gjitha, përpiquni me çdo kusht dhe me çdo mundësi t’i shkolloni dhe t’i përgatisni fëmijët tuaj për jetë. Ata duhet ta mësojnë një profesion, duhet ta mësojnë një zanat sa më mirë që të jetë e mundur, në mënyrë që të jenë konkurrentë në tregun e punës. Vetëm në këtë mënyrë, pra, duke u shkolluar sa më shumë dhe duke qenë konkurrentë në tregun e punës, mund të flasim për ngritjen e cilësisë së jetesës së të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe qytetarët e komunitetit ashkanli”, ka përfunduar kryetari Svarqa.

Në shënimin e 14 vjetorit të flamurit kombëtare të pranishmit i ka përshëndetur edhe Resul Makleshi nga këshilli organizativ, Etem Arfi deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Qazim Rrahmani zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Qerim Gara.

Me këtë rast është shfaqur edhe një program i pasur kulturo-artistik i përgatitur enkas për këtë ditë.