Të premten është bërë asfaltimi i rrugës në fshatin Bibaj me një gjatësi prej një kilometër. Nga afër punimet në asfaltimin e kësaj rruge i ka inspektuar edhe kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa me bashkëpunëtoret e tij. Ai ka vlerësuar se ky projekt ka rëndësi tepër të madhe për banorët e kësaj pjese të qytetit sepse kjo rrugë lidhet edhe me dy magjistralet atë të Gjilanit dhe të Prishtinës. “Është një projekt në mesin e 96 projekteve të cilat janë aprovuar në buxhetin komunal për vitin 2016, dhe është tepër e rëndësishme sepse kjo rrugë po bëhet me gjithë infrastrukturën e nevojshme që nënkupton edhe shtigjet për këmbësorë si dhe ndriçimin. Unë po shpresojë që më përmirësimin e kohës ne do të bëjmë përpjekje që të realizohen edhe projektet tjera që janë të planifikuara dhe të gjitha kompanitë që janë serioze dhe që kanë lidhur kontrata me komunën janë të ftuar që të shpejtojnë intensitetin e realizimit të këtyre punimeve, edhe për shkak të afrimit të pushimit të mërgimtarëve në mënyrë që ata të kenë një infrastrukturë të qarkullueshme rrugore. Ne kemi biseduar edhe me ministrin e infrastrukturës që edhe rruga “Driton Islami” brenda dhjetë ditëve të bëhet asfaltimi deri tek rrethrrotullimini në mënyrë që të mërgimtarët të kenë një qarkullim sa më të mirë në vendlindje. Jam shumë i kënaqur me zhvillimin e punimeve dhe me efikasitetin e punimeve që po bëhem”, ka thënë kryetari Svarqa. Ndërkaq banorë e kësaj pjese të qyteti ku po asfaltohet kjo rrugë u shprehën të kënaqur me kujdesin që po tregon pushteti lokal ndaj nevojave të tyre. Thanë se e kishin shumë të vështirë qarkullimin deri më tani pa kushte elementare. Për dallim nga projektet e realizuara vite më parë ku duhej edhe participimi i banorëve në projekte të ndryshme infrastrukturore në tri vitet e fundit nuk ka pasur participime U bë e ditur se vlera e këtij projekti kap shumën rreth 80 mijë euro.