Lajme

Asfaltohet rruga e lagjes “ Qosaj” në Sllatinë të Epërme

By FerizajPress

September 22, 2016

Në kuadër të projekteve të shumta infrastrukturore të cilat Komuna e Vitisë i ka realizuar në lokalitetet e ndryshme të kësaj komune, sot, kanë filluar punimet në asfaltimin e rrugës “ Qosa” në Sllatinë të Epërme. Asfaltimi i kësaj rruge është financuar me mjete vetanake të komunës së Vitisë, ku pritet të asfaltohet kjo rrugë në një gjatësi prej 700 metrave.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ndër tjera tha se komuna të cilën ai e udhëheq po bënë përpjekje maksimale që të krijoj kushte sa më të mira infrastrukturore për të gjithë banorët e kësaj komune pa dallime.

“ Kjo rrugë të cilën kemi filluar të asfaltojmë sot, me siguri se do të ndikoj në jetën e qytetarëve pasi mundëson qarkullimin më të lehtë të tyre, si dhe ndihmon në zhvillimin e bujqësisë dhe përmirësimin e ambientit dhe mjedisit”, ka thënë Kryetari Haliti.

Ai ju premtoj banorëve të lagjes “ Qosaj” se, komuna krahas këtij projekti do të financoj edhe projekte të tjera që kanë të bëjnë me rivitalizimin e rrugëve fushore dhe infrastrukture. E banorët e lagjes “ Qosaj” janë shprehur të kënaqur me realizimin e këtij projekti, pasi që sipas tyre ata deri me tani janë ballafaquar me vështirësi të shumta në qarkullim për gjatë kësaj rruge që lidhët me rrugën kryesore të fshatit Sllatinë të Epërme.

“Asfaltimi i kësaj rruge ka qenë kërkesë e kamotshme e banorëve të lagjes sonë, por realizimi i këtij projekti është mundësuar vetëm tani”, ka thënë Bejtush Qosa, përfaqësues i lagjes.

Përndryshe komuna e Vitisë gjatë fazës së parë të asfaltimit të rrugëve rurale me mjete vetanake ka asfaltuar 35 rrugë ndërsa në gjatë fazës së dytë gjithashtu parashihet edhe asfaltimi i 35 rrugëve të tjera.