Ferizaj

Asfaltohen shumica e rrugëve në Prelez të Jerlive

By FerizajPress

July 22, 2019

Se Komuna e Ferizajt po realizon dhjetëra projekte në dobi të komunitetit, vërtetohet edhe me realizimin e kërkesave të këtyre të fundit, të cilat janë kryesisht të natyrës infrastrukturore. Kështu, ditë më parë i pari i Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe me drejtorin e Infrastrukturës, Arbër Bytyqi inspektuan punimet në asfaltimin e rrugëve në fshatin Prelez i Jerlive.

Kjo zonë e lënë për vite prapa me investime, tashmë përmes këtij projekti ka gati të gjitha rrugët e asfaltuara, përcjellur edhe me infrastrukturën ndihmëse. Veç tjerash, përveç lidhjes brenda fshatit përmes asfaltimit të qindra metrave rrugë, edhe vitin e ardhshëm planifikohen të realizohen disa projekte të reja në këtë fshat.

Kryetari Aliu dhe drejtori Bytyqi të vendosur në parimin zero tolerancë për punimet jocilësore këtë sezon kanë inspektuar personalisht shumicën e projekteve infrastrukturore, për të vlerësuar, matur dhe verifikuar respektimin e standardeve për ndërtimin e rrugëve.