Ferizaj

Asfaltohen mbi 1000 metra rrugë në Greme e Pleshinë

By FerizajPress

October 01, 2019

Kushtet e përshtatshme klimatike kanë favorizuar zhvillimin e shumë projekteve infrastrukturore në gjithë territorin e Ferizajt. Të tilla janë edhe projektet që përfunduan sot për asfaltimin e rrugës afro 400 metërshe “Qazim Zejna” në Greme dhe dy rrugëve me gjatësi mbi 800 metërshe në Pleshinë. Për të ndjekur punimet që po zhvillohen në këto zona, doli i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.

Banorët të gëzuar për këtë investim e falënderues për pushtetin lokal, thanë se përfundimisht i gjithë komuniteti, me këto projekte i japin fund vuajtjeve shumëvjeçare dhe shmangen rreziqet veçanërisht për fëmijët gjatë qarkullimit në këto segmente rrugore.

Drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi tha se kushtet klimatike kanë mundësuar zhvillimin e shumë projekteve e ndër të tjera edhe këto që u përfunduan sot.

“Në të gjitha lokalitetet e territorit të Ferizajt, jemi duke zhvilluar projekte që ndikojnë në jetën e qytetarëve. Sot po fillojmë asfaltimin e një rruge në fshatin Greme me gjatësi rreth 400 metra, gjithashtu edhe dy rrugëve në Pleshinë me gjatësi 800 metra. Bëhet fjalë për rrugën “Lumthati” që po asfaltohet, dje është asfaltuar një segment i kësaj rruge dhe sot po asfaltohet edhe segmenti tjetër e kështu përfundohen problemet infrastrukturore që kanë qenë në këtë fshat. Bëhet fjalë për një projekt rreth 160,000 euro. Në kuadër të këtij projekti ne ditëve në vijim, nëse premtojnë kushtet klimatike do të asfaltojmë edhe me asfaltimin e disa rrugëve ku jetojnë komuniteti ashkanli në fshatin Dubravë” tha drejtori Bytyqi.