Ferizaj

Asamblisti Muhamet Halili braktis AAK-në, vazhdon i pavarur

By FerizajPress

August 01, 2018

Përveç LDK-së, për vendimin e djeshëm për shpallje të interesit të përgjithshëm të pronave në Fshatin e Vjetër, kundër votuan edhe dy asamblistë të tjerë. Ishte Nehat Mustafa i PDK-së dhe Muhamet Halili i cili ditë më parë dha dorëheqje nga AAK-ja. Ky i fundit në seancën e djeshme u prezantua si këshilltar i pavarur i Kuvendit, ndërsa tha se pavarësisht ofertave që tashmë ka nga partitë politike, do të qëndroj i pavarur. Madje, Halili tha se secila parti do të dëshironte ta kishte anëtar atë,  si një kuadër me bagazh të madh politik. “Po unë e kam bërë njoftimin tek kryesuesja se do të jem anëtar i pavarur dhe kështu do të vazhdoj. Ndryshe, të gjitha partitë kanë  interes të kenë një kuadër të tillë, të kenë një potencial çfarë unë kam pasur më shumë se një dekadë në AAK dhe në bazë të fuqisë politike qe ne kemi pasur si në zgjedhje të 2014 ashtu edhe në 2017, gjithsesi ka kërkesa, por unë do të jem anëtar i pavarur  dhe do t’i mbështes interesat e qytetarëve në përgjithësi”, tha Muhamet Halili.

Me këtë rast, Halili tregoi edhe për arsyet e dorëheqjes nga AAK-ja. Tha se si anëtar i kryesisë dhe si një kandidat me numër të konsideruar votash, nuk u shpërblye nga partia.

“Arsyeja dhe qëllimi pse unë jam larguar nga AAK-ja është publike realisht për shkak të mospajtimeve të mija që kanë ndodhë gjatë procesit të nominimit të drejtorëve dhe nënkryetarit të komunës dhe për këtë arsye unë kam dhënë dorëheqje publike edhe me shkrim që e kam dërguar në Kuvend, por edhe në degën e partisë“, tha Halili.

Ndryshe, larg mikrofonit, Muhamet Halili la të kuptohet që së shpejti Kuvendit Komunal të Ferizajt do t’i shtohen edhe dy anëtarë të tjerë të pavarur, që kësisoj pritet të bëhet edhe një grup tjetër parlamentar, transmeton Televizioni Tema.