Ferizaj

Asambleja e Kryetarëve të Gjykatave kërkon që të mbahen seancat gjyqësore përmes platformës online

By FerizajPress

July 20, 2020

Nën masat e mbrojtjes nga pandemia COVID-19 dhe përmes video konferencës është mbajtur sot, takimi i Asamblesë së kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës nën udhëheqjen e Kryesuesit, Bashkim Hyseni, kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Kryesuesi i Asamblesë, Bashkim Hyseni, takimin e filloi me një minutë heshtje në shenjë respekti dhe nderimi me rastin e vdekjes së gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, z.Shashivar Hoti dhe prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, z. Ismet Ukshini.

Takimi vijoj me diskutimin e pikave sipas rendit të ditës: Diskutim mbi trajnimet e obligueshme për gjyqtarë; Çështja e ekzekutimit të dënimeve të kundërvajtjeve; Lëndët e shënjestruara; Rrezikimi i parashkrimit të lëndëve për shkak të pandemisë; Lëndët për pagat jubilare dhe shujtat e punëtorëve të arsimit; Rekomandimi i Komisionit për Administrimin e Gjykatave për vendim lidhur me shtyrjen e seancave etj.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, para se të diskutohen pikat e rendit të ditës, foli rreth situatës së menaxhimit të gjykatave gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, duke e cilësuar si serioze dhe me vështirësi të shumta për punën në sistemin gjyqësor.

Çoçaj kërkoi nga kryetarët e gjykatave që të zbatohet Plani Emergjent për Menaxhimin e Krizave dhe të bëhet dezinfektimi në të gjitha gjykatat si masë parandaluese e përhapjes së pandemisë COVID-19.

‘’Është shumë e rëndësishme t’i zbatojmë masat, sepse pasojat janë të mëdha, situata më e vështirë është në pallatin e Drejtësisë, por përkundër vështirësive dhe punës me staf të reduktuar të gjitha gjykatat po trajtojnë rastet që janë me prioritet, si ato të paraburgimit, dhunës në familje etj’’.- tha kryesuesi Çoçaj.

Rreth pikës mbi trajnimet e obligueshme për gjyqtarë, sipas diskutimeve, Akademia e Drejtësisë është duke vazhduar mbajtjen e trajnimeve online, përkundër situatës së krijuar nga pandemia. Sipas Asamblesë së kryetarëve dhe gjyqtarëve mbikëqyrës, vijueshmëria e trajnimeve të gjyqtarëve është e obliguar dhe mos vijueshmëria është shkelje disiplinore. Andaj, kërkohet vijueshmëri e obliguar për shkak të plotësimit të kuotës në vijueshmërinë e trajnimeve nga gjykatat që vijnë.

Si pikë tjetër, u diskutua çështja e ekzekutimit të dënimeve të kundërvajtjeve, ku sipas kryesuesit të Asamblesë,  Hyseni, ky ligj ka krijuar konfuzitet dhe mos përmbarimi i gjobave kundërvajtësve për shkak të dy neneve kundërthënëse në Ligjin për Kundërvajtje po sjellë probleme në ekzekutimin e këtyre lëndëve.

‘’Duke pas parasysh se të gjitha gjykatat po ballafaqohen me këtë vështirësi dhe se mënyra e ekzekutimit po sjell pengesa, kërkoi që për shkak të situatës  të gjejmë një zgjidhje alternative, përfshirë këtu edhe JSSP’’-tha kryetari Hyseni. Asamblistët vendosën që të formohet një grup punues me profesionist të Gjykatës Supreme,  gjykatave e tjera dhe së bashku me JSSP dhe të përgatisin një opinion ligjor me qëllim të gjetjes së një zgjidhje.

Rëndësi të veçantë në këtë takim zuri diskutimi rreth lëndëve të shënjestruara. Sipas kryesuesit, Çoçaj, për shkak të rëndësisë së madhe që kanë këto lëndë, dhe pse puna është e vështirësuar, këto lëndë duhet të vazhdohen, të gjitha rastet ku nuk mund mbahen gjykime, të i gjinden objekte tjera ku mund të mbahen gjykime duke i zbatuar edhe masat kufizuese COVID-19. Ndërsa, Kryetari i Gjykatës supreme, Enver Peci, kërkoi nga gjyqtarët që janë të ngarkuar me lëndë ë shënjestruara të fusin në data bazë dhe të përditësohen të gjitha veprimet procedurale.

Gjithashtu, parashkrimi i lëndëve për shkak të pandemisë, ishte një ndër pikat e diskutimit në Asamble, por megjithatë edhe përkundër vështirësive të krijuara nga pandemia në funksionimin e gjykatave, lëndët e tilla duhet të trajtohen dhe të jenë në agjendën prioritare të gjykatave.

Sa i përket pikës lidhur me lëndët për pagat jubliare dhe shujtat e punëtorëve të arsimit, asamblistët shfaqen shqetësimin e tyre për rritjen enorme të këtyre lëndëve dhe u diskutua mundësia e komunikimit me institucione tjera si MASH, MPL, Asociacionin e Komunave të Kosovës, në funksion të mundësisë së zgjidhjes të grumbullimit të lëndëve të kësaj kategorie në gjykata.

Hyseni dhe Çoçaj kërkuan nga kryetarët të gjykatave që të marrin parasysh rekomandimet e Komisionit për Administrimin e Gjykatave (KAGj), drejtuar KGjK, lidhur me shtyrjen e seancave me qëllim që këto  rekomandime do të ndihmojnë që të  minimizohen  seancat jo produktive, zvarritja e proceseve gjyqësore, dhe njëkohësisht do të garantohet rritja e efikasitetit të gjykatave.

Në fund të këtij takimi, kryetari Hyseni, kërkoi kryetarëve të gjykatave që në rrethanat e pandemisë që të fillojnë me platformën online edhe në procedurat civile.