Partitë politike në Maqedoni kanë arritur marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike e cila parashikon modalitetet e pastrimit të listës zgjedhore, reformat në media dhe kompetencat e Ministrit të Punëve të Brendshme.
Njëqind ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të ketë qeveri teknike, dhe njëkohësisht do të tërhiqet ligji i ri për Ministrinë e Brendshme.
Data e zgjedhjeve ende nuk është caktuar, por sipas informacioneve të fundit, ato mund të mbahen më 11 dhjetor, pas një takimi të liderëve të partive që paralajmërohet për më 31 gusht.
“Marrëveshja është arritur, do të ketë një qeveri kalimtare”, ka deklaruar ambasadori amerikan Jes Bejli, i cili së bashku me ambasadorin e BE-së kanë ndërmjetësuar bisedimet që kanë zgjatur një kohë të gjatë.