Arrestohet Rezart Taçi

By FerizajPress

May 09, 2016

Burimet thonë se avokati, ka dorëzuar në gjykatë aktin e përfaqësimit, që Rezart Taçi i ka dhënë noterit nga ambientet e një paraburgimi në Gjenevë të Zvicrës. Nga ky akt përfaqësimi, ish-manjati i naftës kërkon të përfaqësohet dhe mbrohet në Shqipëri nga avokati Fatmir Brraka.

Nuk jepen shumë detaje për shkakun e arrestimit apo kohën e prangosjes.Por burimet nga Interpol-Tiranë i thanë ABC News se ndalimi i Taçit është bërë me urdhër të prokurorisë publike të kantonit të Gjenevës në Zvicër, për akuzën e “mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”. Ky hetim, ka nisur thonë burimet pas kallëzimit të dy kompanive, një e regjistruar në shtetin panamez me emrin “Wallis Trading INC” dhe ajo holandeze me emrin “Trafigura Beheer Bv”, të cilët me kompaninë e Rezart Taçit kishin një marrëveshje tregtare të nënshkruar që në vitin 2009. Për llogari të këtij hetimi, burimet thonë, se më 5 maj 2014 në Shqipëri, autoritet zvicerane kanë kërkuar ndihmë nga Prokuroria e Përgjithshme, për kryerjen e disa veprimeve hetimore.

Mes tyre sekuestrimin e kontratave të kompanisë së Rezart Taçit, verifikimin e llogarive bankare të kompanive dhe personalet, disa veprime të tjera bankare dhe pyetjen me cilësinë e dëshmitarëve të 4 personave, mes tyre motrën e Rezart Taçit dhe nipin e tij. Të gjitha këto veprime hetimore, thonë burimet kanë përfunduar në Shqipëri dhe u janë dërguar autoriteteve të drejtësisë zvicerane, të cilët kanë arrestuar Taçin në një nga aeroportet e vendit.

Nga ana tjetër, në procesin gjyqësor në Tiranë, që treshja gjykuese e zhvilloi pa pranin e mediave, avokati i Rezart Taçit kërkoi që klienti i tij të gjykohet, në aplikim të gjykimit të shkurtuar por duke mos pranuar akuzën e “mospagimit të taksave dhe detyrimeve tatimore”. Kërkesë kjo që u pranua nga gjykata, duke i dhënë fjalën prokurorit të lexojë kërkesën për gjykim. Më pas, seanca u shty për t’i lënë kohë prokurorit të çështjes të përgatisë konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurit Rezart Taçi, i cili nga mospagimi i taksave dhe detyrimeve tatimore me cilësinë e administratorit të ARMO-s për 4 vite, dyshohet se i ka sjellë shtetit shqiptar një dëm prej rreth 6 milionë euro.

 

The post Arrestohet Rezart Taçi appeared first on Lajminet.