Ferizaj

Arrestohet një person i kërkuar për disa vjedhje në Ferizaj

By FerizajPress

October 06, 2023

Njësia e hetimeve të stacionit të policisë në Ferizaj, nën autorizim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte marrë veprimet e nevojshme për hetimin e disa rasteve të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda që kishin ndodhur në Ferizaj.

Policët hetues pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, kanë arritur që të sigurojnë prova të mjaftueshme dhe të identifikojnë të dyshuarin D.E (M/K) i moshës 22 vjeçar, i cili dyshohet se në bashkëpunim, prej muajit gusht-2023 në Ferizaj ka kryer 9 vjedhje, prej tyre : vjedhje të një veture, vjedhje të disa biçikletave, ndërsa në disa lokale ka kryer vjedhje të parave të gatshme, orë dore dhe pajisje elektronike.

I dyshuari D.E sot, datë 06.10.2023 është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit të tij nga policët hetues, në prani edhe të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa në kërkim policor janë edhe dy persona tjerë, të njohur për policinë.

Për informata tjera do të njoftoheni me kohë.