Më 25.01.2025, rreth orës 17:00, policia ka pranuar një informatë për një rast të lëndimit trupor (therje me thikë) në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë patrullat dhe hetuesit e stacionit policor në Ferizaj. Më pas, janë angazhuar hetuesit dhe krimteknikët rajonalë, të cilët kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes.
Sipas hetimeve fillestare, rrethanat që çuan në këtë rast ishin ende të paqarta. Viktima, një mashkull, rreth 23-vjeçar, fillimisht është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për ndihmë mjekësore dhe më pas është transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm.
Lidhur me rastin, policia ka njoftuar menjëherë prokurorin e shtetit dhe ka nisur kërkimet për personat e dyshuar.
Falë një pune intensive hetimore dhe grumbullimit të informacioneve në terren, hetuesit rajonalë kanë arritur të identifikojnë dhe rreth orës 21:50 të arrestojnë dy persona të dyshuar të implikuar në këtë rast. Të dyshuarit, pas arrestimit, janë shoqëruar në stacionin policor.
Pas intervistimit nga hetuesit dhe me vendim të prokurorit të rastit, dy personat e dyshuar, E.P. (M/K) dhe N.D. (M/K), të moshës 21 vjeç, janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore, ndërsa si provë materiale është sekuestruar arma e ftohtë ( thikë), me të cilën dyshohet se është shkaktuar lëndimi.
Policia do të vazhdojë hetimet dhe do të informojë publikun për zhvillimet e tjera lidhur me këtë rast.