Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Vendore të Policisë, efektivat blu dispononin informacione të marra në rrugë operative së në këtë zonë kultivoheshin bimë narkotike.
“Mbështetur mbi këto informacione, ne nisëm inspektimet në lagjen Llakaj për të evidentuar rastet e kultivimit të kanabisit, asgjësimin e tyre dhe ndëshkimin ligjor të kultivuesve”, pohojnë burimet policore. Gjatë veprimeve ligjore, shërbimet e policisë janë qëlluar më armë gjahu, çifte teke nga shtetasi Halil Shyti, 21 vjeç, banues në këtë zonë. Si shkak i goditjes me armë gjahu ka ngelur i dëmtuar një prej efektivave të policisë, pjesëmarrës në këtë aksion.
Në vijim të aksionit anti-kanabis efektivat blu identifikuan dhe asgjësuan në lagjen Llakaj, rreth 1300 rrënjë kanabis. Në vazhdim të veprimeve ligjore, specialistët e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë ndaluan Luan Shytin, 47 vjeç, si dhe djalin e tij Halil Shyti, 21 vjeç, si autorë të dyshuar të kësaj ngjarje. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes grupi hetimor konstatoi edhe një kabull me anë të të cilit vidhej energjia elektrike.
Gjithashtu gjatë kontrollit në banesën e tyre u gjet edhe një armë e dytë gjahu pa leje. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë vazhdon hetimet e mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje. Ky është rasti i parë kur gjatë aksioneve antikanabis të kësaj vere kultivuesit e bimëve narkotike kundërshtojnë me armë veprimet ligjore të policisë. Gjatë aksioneve antikanabis policia ka asgjësuar në Qarkun e Gjirokastrës rreth 100 mijë bimë narkotike.
.