Lajme

“Arrestimi i Haradinaj si pasojë e rritjes së agresivitetetit politik e diplomatik të Serbisë”

By FerizajPress

January 07, 2017

Ky  është vlerësimi që ka drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studimet të Sigurisë (QKSS), Florian Qehaja shkruan lajmi.net.

“Në aspektin teknik, fletë-arrestet me data më të hershme (në këtë rast thuhet se është i vitit 2004) zakonisht nuk janë në krye të listës dhe ato mund të shfaqën kësisoj vetëm atëherë kur shteti iniciues, në këtë rast Serbia, ri-vendos në prioritet këto fletë-arreste”, është shprehur ai.

Haradinaj është arrestuar të mërkurën në mbrëmje nga autoritetet franceze gjatë një udhëtimi të tij në Francë, në bazë të një fletë-arresti nga Serbia, e cila e akuzon atë për krime lufte ndaj serbëve gjatë luftës në Kosovë.

Por, sipas njohësit të çështjeve të sigurisë ky rast nuk duhet parë si i izoluar, por si rritje e agresivitetit politikë e diplomatikë të Serbisë.

“Sigurisht që rasti Haradinaj nuk mund të shihet si i izoluar mirëpo më shumë në një kontekst më të gjerë: atë të rritjes së agresivitetetit politik e diplomatik të Serbisë e cila me arrogancë është duke flirtuar me BE-në dhe Rusinë njëkohësisht, në dëm të shteteve tjera më të vogla, sidomos Kosovës”, ka thënë Qehaja për lajmi.net.

Gjykata e Apelit në Francë të enjten ka caktuar masën e paraburgimit për Haradinaj, ndërsa Serbia ka thënë se do përgatisë procedurat për kërkesë për ekstradinimin e tij.

Por, sipas Florian Qehas gjasat që Haradinaj të ekstradohet në Francë janë të vogla.

“Personalisht mendoj që gjasat e ekstradimit janë shumë të vogla për shumë arsyeje. Arsyjet kryesore kanë të bëjnë me verifikimin e akuzave të cilat janë procedura në Gjykatën e Hagës ku Haradinaj është shpallur i pafajshëm. Gjykimet e Hagës kanë formën e prerë dhe nuk mund të ketë ri-gjykim për vepra të njëjta. Poashtu, Franca njeh Kosovën dhe nuk mund të ekstradojë një shtetas të një vendi tjetër (në këtë rast Kosovës) në një vend tjetër (në këtë rast Serbisë)”, është shprehur ai për lajmi.net.

Pas arrestimit të Haradinaj ka pasur reagime të mëdha në Kosovë nga zyrtarë të lartë shtetëror, udhëheqës të partive politike dhe shoqërisë civile. Arrestimi ish-kryeministrit të Kosovës është cilësuar si provokim nga ana e Serbisë, por ka pasur kritika ndaj Qeverisë që nuk ka bërë asgjë që këto fletë-arreste të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës të shfuqizohen.

Ndërsa drejtori i QKSS-së, thotë se për shfuqizimin e këtyre fletë-arresteve duhet një presion ndërkombëtar dhe se Kosova duhet të fillojë të ngrit kallëzime penale ndaj serbëve që kanë kryer krime në Kosovë.

“Nuk shoh mënyrë tjetër që këto të ndalen përveç me ndonjë trysni ndërkombëtare e cila, në pozicionin e favorshëm të Serbisë, vështirë se mund të mendohet. Mbase një shpresë mund të shihet te shtetet si Kroacia e cila është nga të paktat që mund të vendosin kushte në rrugën e Serbisë drejt BE-së, përfshirë edhe në çështjet si këto”.

“Ajo çfarë ne duhet të bëjmë, është që urgjentisht të ngritën kallëzimet penale nda qindra krimineleve që jetojnë në Serbi dhe krahas ndalesës për Kosovë, të njoftohen disa shtete që kemi marrëveshje bilaterale, në mënyrë që kësisoj të ushtrojmë reciprocitet. Ndalesa e ndonjë qytetari të Serbisë do të vendoste në lëvizje Serbinë dhe eventualisht do të pranonte negocimin e kësaj çështjeje”, ka deklaruar Qehaja.

Ai ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL me automatizëm do të ipte mundësi që të lëshojmë fletë-arreste ndërkombëtare dhe rrjedhimisht të ushtrojmë reciprocitet të barabartë. /Lajmi.net/

 

 

 

.