Ferizaj

Arkivi i komunës së Ferizajt në gjendje të mjerueshme (Foto)

By FerizajPress

April 06, 2016

Në këtë ambient gjendet arkivi i komunës së Ferizajt. Fotografitë e mëposhtme, flasin më së miri për gjendjen e dokumenteve të arkivuara me dekada. Ajo që nuk mund të tregohet nga fotot është era e padurueshme që përhapet në këtë hapësirë,transmeton Tv Tema.

Edhe pse muaj më parë drejtues të pushtetit lokal patën njoftuar se arkivi komunal është duke u rinovuar, në katet më të larta të komunës  gjendja aktuale është për të ardhur keq.

Këtu zyrtarët e komunës nuk mund t’i gjejnë dokumentet  e viteve të fundit, e lëre më ato të para luftës. Këtë realitet e pranoi edhe drejtori i Administratës,  Faruk Hyseni por tha se zgjidhja e këtij problemi serioz, do të bëhet shumë shpejt.

 “ Është e vërtetë se çështja e arkivit është çështje problematike jo tani por kaherë. Ne në vitin e kaluar jemi munduar të bëjmë diçka, duke i sistemuar lëndët në katin e lartë të komunës dhe disa të tjera në bibliotekën e qytetit. Por duke pasur parasysh që numri i dokumentacionit është shumë i madh, nuk kemi pasur hapësirë ku t’i dërgojmë pos t’i lëmë  ashtu në bodrumin e komunës. Ne do të bëjmë përpjekje që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt sepse ka mundësi që disa dokumente edhe të kalben”, tha Hyseni.

Në bodrumin e komunës ndodhen dokumentet e arkivuara të drejtorisë së Gjeodezisë, Administratës, Kulturës dhe të Prokurimit. Gjer më tani, të sistemuara janë vetëm lëndët me dokumentacionin e Zyrës së Prokurimit. / TV TEMA /