Lajme

Ankesa për mosmirëmbajtje të varrezave në Gjilan

By FerizajPress

September 17, 2016

17 vjet pas rivarrimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kodrën e Dëshmorëve në Gjilan, familjarë të tyre, por edhe ish-komandanti Ahmet Isufi ankohen se varrezat nuk po mirëmbahen.

“Ne besojmë se do të ndërgjejgësohen institucionet tona në mënyrë që t’u dalim hakësh dëshmorëve, por edhe duke i parë varrezat e dëshmorëve të mirëmbajtuna, e mbajmë edhe gjallë amanetin e tyre,” tha Ahmet Isufi, ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut për KALLXO.com.

Mosmirëmbajtjen e kompleksit të varrëzave të dëshmorëve në Gjilan nuk mund ta durojë as edhe vëllai I dëshmorit Mehmetali Ajvazi, i cili tregoi për KALLXO.com se është munduar të bëjë ankesa në insititucione, por ka qenë e pamundur të marrë përgjigje.

“S’po ki as ku me bo ankesa, kjo më e keqja, se kur shkon me bo ankesë veç të dërgojnë sa andej sa këndej. Unë e kam kohën e shkurtër-qëndrimin në Kosovë pasi vij nga Gjermania, këtu as nuk po ke me kënd me bo fjalë për këtë gjendje,” tha Liridon Ajvazi.

Ajvazi është i mllefosur që vëllai i tij ka dhënë jetën për Kosovën, ndërsa duhet të vijë nga Gjermania për t’ia pastruar varrin.

“Kur ta mendoj për çka ka dhënë vëllau im jetën, a për me ja kthy në këtë gjendje që me ardhë unë nga Gjermania 2000 kilometra me ia pastru vorrin. A ka ardhur puna deri këtu, a? Unë po vi shkaku i këtij vëllau, se nuk kisha ardhur fare,” reagoi Liridon Ajvazi.

Kallxo.com i shkroi edhe Komunës së Gjilanit për ta pyetur në lidhje me mosmirëmbajtjen e varrezave të dëshmorëve në Gjilan, por nuk mori përgjigje nga ajo.

Në 17 vjetorin e rivarrimit, varrezat e dëshmorëve përveç familjarëve i vizituan edhe deputetë e politikanë.

Të vrarët e luftës së UÇK-së nga kjo anë u varrosën në kodrën mbi Gjilan para 17 vjetësh. Atë kohë e kujton Ahmet Isufi.

“17 vjet më parë me urdhër të komandës së Zonës Operative të Karadakut është vepruar në atë mënyrë që të bëhet bashkimi i të gjithë dëshmorëve që i takojnë rajonit të Gjilanit në mënyrë që të mos jenë në varre të shpërndara. Në vendin e rënies ne kemi vu një lapidar, ndërsa në varrezat e dëshmorëve janë varrosur të gjithë bashkë sepse kanë rënë për një ideal,” tha Isufi.

Por lapidari që përmend Isufi është shkarravitur në pjesën e poshtme të tij, e rruga e shtruar me pllaka është plot rërë.