Anjeza rrihte 3-vjeçarin dhe i bënte foto për reklamë (Video)

By FerizajPress

June 21, 2016

Vogëlushi qëllohet pa fund me forcë në duar, në kokë, futet në një dhomë ku kamera nuk filmon gjë, por dëgjohen të qarat e tij mekëse. Administratorja, një ish-gazetare në një televizion informativ shqiptar, Anjeza Shabani, u vu në pranga nga policia mbrëmjen e së hënës, pak pas bërjes publike të videos.

Ishte babai i djalit 3-vjeçar ai që sinjalizoi për situatën e rënduar të vogëlushit i cili vinte në shtëpi i heshtur, pa thënë asnjë fjalë, ndërsa në trup ata i gjetën shenja dhune. Kamera e vendosur zbuloi nga emisionin investigativ, nxori në pah një skandal të vërtetë.

Administratorja e kopshtit, kishte shkuar atje të fotografonte fëmijët me qëllim që t’i reklamonte fotot në faqen zyrtare të kopshtit “Diren” në facebook, duke shfaqur kështu se sa “bukur” kalohej në kopshtin e saj. Pak minuta pasi ka dhunuar të voglin, Anjeza Shabani kthehet mes fëmijëve për t’i fotografuar ata.

“Ti je shumë i mirë në aparat”, – dëgjohet t’i thotë fëmijët administratorja, e cila ka ndërruar “pllakë” tashmë vetëm për të marrë një foto të bukur që reklamon biznesin e saj. Por fëmija nuk ndal dot së qari nga dhimbjet e goditjeve që ka marrë prej saj, ndaj vogëlushi 3 vjeç qan edhe gjatë momentin që Shabani ka nxjerrë i-Phone e saj për të bërë fotot. “Pusho, pusho, mos të dëgjoj më djalë i keq. Po të duroj çik si shumë, kur të them pusho – pusho”, vijon ajo me zë të lartë ndaj fëmijës.

E gjithë kjo skenë e tmerrshme ndodh në sy të fëmijëve të tjerë dhe të edukatoreve. 3-vjeçari shihet teksa mundohet t’i afrohet edukatores për të kërkuar ndihmën e saj, por edhe ajo duket e pafuqishme përballë administratores.

“Tregoji ngjyrat, tërhiqi pak vëmendjen”, – i thotë Shabani edukatores gjatë momentet që fotografon, duke u shmangur të kap ndonjë fragment ku djali mund të duket i dhunuar, duke qarë, apo me veshin e skuqur që i ka shkaktuar tërheqja nda administratorja. “Sa bukur, sa bukur”, – thotë Shabani teksa shikon fotot që ka bërë.

Në një moment kur vogëlushi qan, edukatorja mundohet ta justifikojë para Anjeza Shabanit, në mënyrë që ajo të mos i kthehet sërish me dhunë. “Qan se i dhemb koka, pa dashje”, – dëgjohet ajo.

Kjo skenë e tmerrshme dhune ndodh në një ambient ku prindërit paguajnë para për mbarëvajtjen dhe sigurinë e fëmijëve të tyre. 3-vjeçari nuk është e vetmja viktimë e këtij akti, pasi traumë kanë pësuar edhe fëmijët e tjerë që kanë parë sesi shoku i tyre keqtrajtohet kaq mizorisht. Edukatoret, krejt të heshtura dhe pa kurrfarë reagimi ndaj dhunës, mundohen të luajnë me fëmijët e tjerë për t’i hequr mendjen nga ajo se çfarë realisht po ndodhte në kopshtin privat.

Ky nuk është rasti i parë i dhunës ndaj fëmijëve nga personat që duhet t’i mbronin ata, andaj apeli për ndërhyrje duhet të jetë mjaft i fortë.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=htOXoxRySpc?feature=oembed&w=640&h=360]

The post Anjeza rrihte 3-vjeçarin dhe i bënte foto për reklamë (Video) appeared first on Lajminet.