Lajme

Anija italiane shpëton emigrantët, s’lejohet në portet e Italisë

By FerizajPress

July 10, 2018

Një anije tregtare italiane, me dhjetëra emigrantët të shpëtuar në bordin e saj, nuk u lejua që të ankoronte në portet italiane. Anija “Vos Thalassa”, një mjet lundrimi që furnizon platformat e naftës në Mesdhe, shpëtoi 66 emigrantë pranë bregdetit libian. Por, kur lajmëroi për ngarkesën e saj, u ndalua që të ankorojë në portet italiane, e më pas emigrantët ia dorëzoi Rojes Bregdetare italiane. Qeveria italiane ka shkaktuar mjaft debate, pasi ndaloi ankorimin në porte të anijeve humanitare me emigrantë, duke i akuzuar ato se shërbejnë si taksi për refugjatët dhe nxisin trafikun e njerëzve. Por “Vos Thalassa” është një anije italiane, nuk i përket asnjë organizate humanitare dhe nuk ishte në një mision shpëtimi. Thjesht shpëtoi njerëz nga mbytja, siç e thotë ligji i detit. Kjo është hera e parë, që një anije italiane ndalohet që të hyjë në portet e vendit të saj, për shkak të politikës ndaj emigrantëve. Autoritetet italiane e mbrojtën vendimin e tyre me justifikimin se, anija “Vos Thalassa” nuk kishte pse të ndërhynte, pasi Roja Bregdetare libiane po shkonte drejt anijes së emigrantëve. Incidenti i radhës ka shkaktuar mjaft debat, me kritikët e qeverisë së re italiane që thonë se ligji detar detyron çdo anije që të shkojë në ndihmë të atyre që po mbyten, e jo të pyesë më parë nëse bëhet fjalë për emigrantë të jashtëligjshëm apo njerëz me dokumente të rregullta.