Lajme

Anëtarët e KD të UP-së kërkojnë t’u rriten shtesat për 80 për qind

By FerizajPress

July 22, 2016

Kryetari dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë kërkuar që për shtesat funksionale të paguhen 80 për qind më shumë sesa kryetarët dhe anëtarët e këshillave drejtuese të universiteteve të tjera publike në Kosovë.

Nëpërmes një shkrese që e kanë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të mërkurën, më 20 korrik, ata kanë kërkuar që të ndryshohet vendimi për unifikim të pagave dhe shtesave të kryetarëve ose kryesuesve dhe anëtarëve të këshillave drejtuese të të gjitha institucioneve publike të arsimit të lartë në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.

Kërkesa që i është drejtuar ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, është nënshkruar nga kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së, Ismet Salihu. Përveç tij, Këshillin aktualisht e përbëjnë edhe zëvendëskryetari Ahmet Latifi dhe anëtarët: Alajdin Abazi, Beqir Sadikaj, Zeqir Veselaj, Fevzi Berisha, Kemajl Bislimi, Alberta Troni dhe Sigurd Hollinger.

Në bazë të përllogaritjeve me kërkesën për ndryshim, Këshilli Drejtues i UP-së ka kërkuar që kryetari të paguhet 24 euro më shumë për një mbledhje të mbajtur.