Liderët e Bashkimit Evropian do të mbledhen në një samit në Bruksel të enjten, njëra nga temat e diskutimit nuk ka dyshim që do të jetë edhe gjendja në Ballkan, shkruan The Guardian.
“Gjeopolitika është kthyer në Ballkan. Ne po shohim rritje të ndikimit rus dhe gjithashtu edhe të atij turk. SHBA dhe BE janë prezente në këtë çështje, dhe nuk janë interesa të ndryshme”, tha eurodeputeti gjerman David McAllister, transmeton lajmi.net
McAllister ka thënë, se Rusia po përdorë gjuhën anti-perëndimore dhe anti-BE me propaganda në debatin publik, duke i përmendur mediat serbe si djep të teorive të konspiracionit dhe ultranacionalizmit serb.
Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë në samitin e së enjtes për rritjen e tensioneve në këtë zonë. Sipas një projekt-memorandumi, liderët e vendeve evropiane do përsëritin se dera për vendet e rajonit mbetet e hapur, duke vënë theksin te raportet e mira fqinjësore.
Shtetet anëtare janë të ndara mbi atë se duhet të diskutojnë për forcat e jashtme që po shtrijnë ndikimin në rajon. Rusia sipas tyre është një shqetësim i veçantë, gjithashtu duhet të ketë kujdes të shtuar edhe për ndikimin turk.
“Ka ndërhyrje nga një vend i tretë”, ka thënë një diplomat i Bashkimit Evropian.
Diplomatët e BE-së janë të shqetësuar edhe me qytetarët e Ballkanit të cilët po shkojnë për të luftuar për grupet islamike. Pasi një numër i kosovarëve, shqiptarëve dhe boshnjakëve po luftojnë në zonat e luftës së Lindjes së Mesme, transmeton lajmi.net.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherin vizitoi Ballkanin javën e kaluar, për të ringjallur rrugën e këtyre vendeve drejt integrimit në BE. Udhëtimi i saj kishte për qëllim të tregonte se këto vende nuk janë harruar nga Evropa.
Ballkani Perëndimor në përgjithësi po kalon në një situatë të tensionuar. Në janar, treni i Serbisë me mbishkrimin ‘Kosova është Serbi’ u dërgua në Kosovë, duke bërë thellimin e krizës mes dy vendeve. Maqedonia gjithashtu është në një krizë për formimin e qeverisë, kurse Mali i Zi në tetorin e vitit të kaluar u trondit me atentatin ndaj kryeministrit Gjukanoviq, duke akuzuar Rusinë për këtë atentat, gjë të cilën Kremlini zyrtar e ka mohuar kategorikisht.
McAllister ka kundërshtuar pikëpamjet se Ballkani është harruar, por ai ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian ta rritë pranin në këtë zonë. E si argument, është përdorur një sondazh sipas të cilit serbët kanë marrë më shumë donacione nga Rusia se nga Brukseli.
Vendeve të Ballkanit u është dhënë drita e gjelbër për të filluar rrugën e gjatë drejt integrimit në BE, por kjo rrugë ka qenë me shumë kthesa.
Kroacia u bashkua me BE-në në vitin 2013, me Malin e Zi dhe Serbinë që veç kanë nisur bisedimet për këtë proces. Kurse Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kosova e Maqedonia janë prapa në këtë proces. /Lajmi.net/