Lajme

Ana femërore e Mbretërisë Shqiptare (Foto)

By FerizajPress

October 09, 2016

Në këto fotografi të pabotuara më parë në media, të cilat gjenden në albumin e familjes,  vjen i shpalosur i gjithë shkëlqimi mbretëror, veçanërisht ai i  të artave vite ’30.

Gjashtë Princeshat

Gjashtë  motrat e Mbretit Zog, Princeshë  Adileja, Princeshë Nafija , Princeshë  Senijeja, Princeshë Myzejeni, Princeshë Ruhija dhe Princeshë Maxhideja  kanë  luajtur një rol mjaft aktiv gjatë  viteve të  monarkisë. Fale vizionit të  qartë perëndimor të  vëllait te tyre, ato u bënë ambasadore të  kulturës europiane në  një vend ku sapo kishte filluar bashkëjetesa mes orientit dhe Perëndimit. Mjaft të diskutuara për pasionin e tyre ndaj modës, ato qenë  të  parat në  shoqërinë shqiptare që  dolën në  plazh me kostume banje europiane.

Secila prej tyre mori nën patronazh nga një seksion te organizimit të  shoqërisë. Princeshë Senijeja  u vu në  krye të  Kryqit të Kuq Shqiptar, Princeshë Ruhija u angazhua në arsim dhe te drejtat e gruas, Princeshë Myzejeni në  art dhe kulturë , ndërsa Princeshë Maxhideja në  sporte.

Ndaj tyre shtypi ndërkombëtar shfaqi interes të  veçantë, sidomos gjatë  vizitës në ShBA më1938-ën , ku princeshat u priten nga rangjet me të  larta të  politikes dhe shoqërisë. Gjatë  kësaj vizite, Zonja e Pare Eleonor Roosevelt i ftoi për çaj në  shtëpinë e bardhë .Ato morën pjesë  ne një  meshë  të  mbajtur nga imzot Noli si një mesazh pajtimi pas një dimri të  gjatë me Mbretin Zog. Shtypi ndërkombëtar i kohës pasqyroi detajet e këtij udhëtimi, ku rëndësi i jepej elegancës, zgjuarsisë dhe klasit të  tyre. Princeshë Adileja u martua me Emin Bej Agolli-Doshishti dhe patën tre djem  dhe dy vajza. Ajo iu përkushtua familjes dhe të  gjithë bashkë  jetuan në Angli. Vitet e fundit të  jetës i kaloi në  Paris pranë djalit të  saj të pamartuar, Salihut. Princeshë Nafija u martua me Ceno Bej Kryeziun. Ata patën një djalë, Esatin ose siç njihet ndryshe, Princ Tati. Ceno Beji u vra më 1927 në  Pragë  ku kryente shërbimin si ambasador. Pas vdekjes se tij, Princesha se bashku me të  birin dhe  jetuan ne Pallatin Mbretëror pranë Mbretit Zog, si edhe në  mërgim ku nuk u ndanë nga Familja Mbretërore. Princesha ndërroi jetë  në  Kajro. Princeshë Senija u martua me Princ Mehmet Abid të  Turqisë, djalin e Sulltan Abdulhamid II. Kjo martese nuk rezultoi e lumtur , ndaj çifti u divorcua. Ata nuk patën fëmijë. Princesha qëndroi pranë të  vëllait dhe motrave pjesën tjetër të  jetës. Tetë  vitet e fundit i kaloi në  Kanë,  ku edhe ndërroi jetë  vetëm një javë  pas humbjes së  motrës së saj, Princeshës Myzejenit.  Princeshë Myzejeni  nuk u martua kurrë. Ajo jetoi gjithë jetën pranë Familjes Mbretërore. Tetë  vitet e fundit i kaloi në  Kane, në  vilen ku jetonte me dy motrat e saj, Senijen dhe Maxhiden.  As Princeshë Ruhija nuk u martua kurrë. Ajo qëndroi pranë të vëllait dhe motrave gjate viteve të mërgimit . Ndërroi jetë  në  Kajro pas një lufte të  gjatë  me kancerin. Fale Mbretit Faruk ajo pati një ceremoni mortore zyrtare.

Princeshë Maxhideja pati të  njëjtin fat me motrat e saj. Ajo gjithashtu nuk u martua. Jetoi me Familjen Mbretërore deri më  1961-shin  e  më  pas me të  motrat deri sa mbylli sytë në  Kanë  pas një kome prej së cilës nuk u zgjua kurrë.

Mbretëresha  Geraldinë

Mbretëresha Geraldinë rrjedh nga një familje shumë e njohur Hungareze. Të gjithë paraardhësit e Familjes Appony kanë pasur karrierë shumë të suksesshme politike dhe kanë mbuluar detyra nga më të rëndësishmet shtetërore në Perandorinë Austriake, në të cilën kanë gëzuar tituj të rëndësishëm fisnikërie, sikundër: baron, kont, etj..

Familja Appony ka lidhje gjaku me të gjitha mbretëritë e Europës. Gjyshi nga nëna i Mbretëreshës Geraldinë ishte Xhon Herri Stewart, i cili rridhte nga një familje fisnikësh skocezë, të emigruar në SHBA në shekullin XVII, dhe ishte diplomat i suksesshëm. Ndërsa gjyshja e Saj nga nëna ishte pinjolle e Familjes Hardingun, pronarë të mëdhenj tokash në Karolinën e Veriut. Ajo ishte e bija e kontit Gyula Appony dhe e konteshës Glayds Virginia Stewart, e cila ishte një shtetase amerikane shumë e pasur nga shteti i Marylendit, babai i së cilës ka qenë emëruar si Konsull i Përgjithshëm i Amerikës në Hollandë. Përveç vajzës së madhe Geraldinë, çifti Appony kishte edhe një vajzë tjetër të quajtur Virxhinia, si dhe një djalë të quajtur Xhula.

Pas vdekjes së gjyshes së tyre, për Geraldinën dhe motrën e saj Virxhinia u kujdes e motra e babait të tyre, kontesha Fanny Karolyi, e cila zotëronte një nga kështjellat më të famshme dhe më te bukura të Hungarisë në Zebegeny. Vajzat që kalonin verën në kështjellën e Zebegeny-it, kishin marrë nga një emër luleje. Për shkak të bukurisë së Saj dhe bardhësisë natyrale të lëkurës dhe veshjes me rroba po të së njëjtës ngjyrë, Geraldina u quajt m “Trëndafili i Bardhë i Hungarisë”.

Mbretëresha e Shqiptarëve Geraldinë, gjatë periudhës së shkurtër të qëndrimit në Shqipëri u impenjua maksimalisht për rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar, sidomos të shtresave në nevojë. Kontribuoi për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve në shërbim të shtresave në nevojë, si spitalet, azilet dhe jetimoret. Vizitat e shpeshta që bënte në këto ambiente, ishin vizita pune për të. Ajo u angazhua  edhe për promovimin dhe jetësimin e të drejtave të grave, si dhe për mundësitë e emancipimit të tyre. Punoi shumë për të ndihmuar në përmirësimin e shërbimit spitalor në Shqipëri, dhe dha një ndihmesë të madhe për ngritjen dhe funksionimin e spitalit Ushtarak në Tiranë. Ajo solli nga Austria, mjekë shumë të mirë për drejtimin e Spitalit Ushtarak. Mbretëresha  nxiti ngritjen dhe më pas themeloi Maternitetin e parë shqiptar, në Tiranë. Një nga projektet që mbahet mend edhe nga bashkëkohës të asaj periudhe, është mobilizimi dhe ngritja e fushëveprimit të Kryqit të Kuq shqiptar. Mbretëresha Geraldinë mundësoi hapjen e edicionit të parë emetues radiofonik, në Radio Tirana.Prioritet i punës së Saj ishte emancipimi i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, për ngritjen e vetëdijes së saj dhe në veçanti emancipimi i pjesës rurale të popullsisë. Përveç përkushtimit të Saj në të mirë të popullit shqiptar, Mbretwresha Geraldinë gjente kohë të përkujdesej për mbarëvajtjen e Familjes së saj, sikundër ishte ndikimi për një edukim sa më cilësor të trashëgimtarit të Fronit Mbretëror.

Mbretëresha Suzanë

Mbretëresha e Shqiptarëve Suzanë është vajza e Alan Robert Cullen–Ward dhe e Phylis Dorothea Murray Prior. Familja e Mbretëreshës ka qenë e para familje që është vendosur në Australi, qysh në momentet e para të zbulimit te këtij kontinenti. Ishte familja e Saj, që solli nga Irlanda kuajt e parë në Australi, dhe parakët e Saj ishin gjithashtu të parët ndër banorët që kalëruan në këto toka. Familja e Saj ishte e vendosur në Queens Land, ku zotëronin 1/3 e tokave dhe pronave të kësaj zone. Ajo lindi në Sidnej të Australisë më 28 janar 1941-shit.

Të parët e saj ishin ndër pinjollët më të shquar të fisnikërisë së Irlandës dhe kishin lidhje gjaku me Mbretin Eduard të Anglisë.

Mësimet e para të fëmijërisë Mbretëresha Suzanë i mori në “New South Wales” në një kolegj për vajza. Në Orange, kreu studimet e mesme Studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve në Sidnei. U diplomua për histori arti dhe arkitekturë. Ajo studioi jo vetëm pikturën dhe grafikën, por edhe në të gjitha zhanret e saj; historinë e plotë të arteve, duke përfshirë skulpturën dhe arkitekturën; njëkohësisht studioi edhe historinë e vjetër të artit dhe të arkeologjisë. Pasion të veçantë kishte Egjiptologjinë. Universiteti i Sorbonës në Francë, kërkoi nga ajo, që të thellonte dijet dhe të jepte kontributin e Saj pranë këtij institucioni. Në Spanjë, më 1974 studioi dhe u specializua në degën e turizmit pranë Universitetit të Madridit. Që nga kurorëzimi i saj si Mbretëreshë e Shqiptarëve, Suzana ndoqi të gjithë korrespondencën mbretërore, lidhjet me oborret e tjera mbretërore, me kryetarët e shteteve, etj.  Pjesë e angazhimit të saj publik ishte prania  mediatike, ku  dha shumë intervista për gazeta dhe revista nga e gjithë bota, për stacione të ndryshme televizive, për agjencitë e lajmeve etj. Ajo qëndroi në krah të Mbretit Leka I, duke luajtur rolin e këshilltares kryesore në çdo moment të vështirë që do të kalonte Ai dhe Familja Mbretërore gjatë mëse 25 viteve të jetës bashkëshortore. Vendosmëria e Saj është tepër e njohur dhe u shfaq dukshëm gjatë vizitave që realizoi Mbreti Leka në atdhe, në vitin 1997. Ajo asokohe mbuloi personalisht gjithë aktivitetin politik të Oborrit Mbretëror, ndërmjet syresh edhe lidhjet me kancelaritë, si dhe udhëzoi të gjitha veprimet përkatëse në ato tre muaj, kohë kjo kur NMT Leka I kish marrë në shoqërim një pjesë të Oborrit Mbretëror. Mbretëresha Suzanë krijoi në SHBA “Fondacionin Kulturor për të Ardhmen e Shqipërisë në SHBA”, i cili mban emrin e saj.

Që nga momenti i ardhjes në atdhe, në qershor të vitit 2002,  filloi punën për të vënë në zbatim projektet që kish ideuar që kur ishte në Johanesburg për jetimët, gratë, të moshuarit, spitalet. Me përvojën e historianes së artit dhe të kulturës, nën shtysën e prirjeve dhe talentit të veçantë e të spikatur në arkitekturë dhe dekorime, Mbretëresha Suzanë diskutonte vazhdimisht me mjaft piktorë, historianë dhe akademikë për traditën shqiptare dhe për të ardhmen e kulturës shqiptare, e cila, sipas saj kishte nevojë të ngutshme për një mbështetje të veçantë nga Shteti.

Në panairet e përvitshme të artizanatit, pjesëmarrja e saj ishte e padiskutueshme, krahas kërkesës që këto punime të hynin si produkte të tregtueshme në tregun botëror, duke qenë e bindur se do ta përfaqësonin me dinjitet Shqipërinë. Mbretëresha Suzanë ndërroi jetë në Shqipëri,  më  17 korrik të vitit  2004.

Nëna Mbretëresha Sadije Toptani

Nëna Mbretëreshë Sadije Zogu – Toptani, lindi në Tiranë në vitin 1876. Ajo ishte bijë e njërës nga familjet më të fuqishme të Shqipërisë Qendrore, Toptanët e Tiranës. U martua me Xhemal Pashë Zogun në vitin 1891 dhe nga kjo martesë i lindën 7 fëmijë. Mbreti i mëvonshëm i shqiptarëve, Ahmet Zogu, ishte fëmija i dytë dhe lindi më 8 tetor të vitit 1895. Nëna Mbretëreshë Sadije vdiq në Durrës më 24 nëntor të vitit 1934. Ceremonia e varrimit në nderim të Saj u zhvillua më 26 nëntor 1934 në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.U varros në vendin e quajtur Kodra e Gështenjës, në krah të djathtë të rrugës aktuale automobilistike Tiranë – Elbasan, (në jug të Pallatit Mbretëror). Për t’u prehur në një varrezë të veçantë që synohej të bëhej familjare, u ble tokë me një sipërfaqe prej 6 mijë metrash katrorë dhe mbi të u ndërtua një mauzole  që u projektua nga arkitekti i njohur Qemal Butka.

Dyert e këtij mauzoleuu hapën më 30 dhjetor 1935, me pjesëmarrjen e Mbretit Zog I, motrave të tij princesha, kryeministrit të Shqipërisë, Mehdi Frashëri, etj., dhe më pas trupi i të ndjerës Nënës Mbretëreshë u vendos për t’u prehur përjetësisht në këtë varr-mauzole madhështor, i cili u dëmtua  me shpërthim tritoli të vënë enkas më 17 nëntor 1944 nga forcat komuniste të së ashtuquajturës Brigada e Parë, ditën kur këto forca pushtuan qytetin e Tiranës. Pas këtij viti rrënojat e mauzoleut  kanë mbetur të paprekura, ndërsa varri i Mbretëreshës Sadije ekziston i pacenuar edhe sot e kësaj dite. /mapo.al

.