Lajme

Ambasadori italian konfirmon mbështetjen për Kosovën

By FerizajPress

August 02, 2016

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ambasadorin e sapoemëruar të Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, të cilin e uroi për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në angazhimin e tij diplomatik.

Kryetari Veseli çmoi lart kontributin e Italisë në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës, ndërsa shfaqi besimin se bashkëpunimi dhe përkrahja italiane ndaj vendit tonë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Kryetari i Kuvendit theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve mike në shumë segmente me interes reciprok, ndërsa potencoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të vazhduar angazhimet në arritjen e aspiratave integruese euro-atlantike dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit.

Ambasadori italian, Piero Cristoforo Sardi, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë që do të drejtojë misionin diplomatik të Italisë në Kosovë, duke shfaqur shpresën që bashkëpunimi i konsoliduar midis Romës dhe Prishtinës zyrtare, do të forcohet dhe zgjerohet edhe më tej.

Ai konfirmoi vazhdimin e përkrahjes së shtetit italian për Kosovën, si në aspekte të zhvillimit të brendshëm, ashtu edhe në integrimet euroatlantike.