Ferizaj

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairí O’Connell, viziton Ferizajn

By FerizajPress

March 16, 2018

Ferizaj.16.03.2018. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar edhe nga nënkryetari i Komunës, Naim Ferati si dhe Kryesuesja e Kuvendit Komunal sot ka pritur në takim miqësie, Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Shkëlqesinë e Tij, Ruairí O’Connell, të shoqëruar edhe nga znj. Selvije Fetahu – zyrtare për politikë dhe demokratizim.

Me këtë rast, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu e falënderoi Ambasadorin O’Connell për vizitën në Komunën e Ferizajt si dhe e njoftoi me gjendjen e përgjithshme në komunën tonë, sukseset e arritura dhe sfidat e qeverisjes lokale si dhe shprehu interesimin e institucionit të Komunës për të bashkëpunuar me ambasadat e vendeve mike të Republikës së Kosovës, me qëllim realizimin e projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme të jetës publike e shoqërore.

Në anën tjetër, Ambasadori O’Connell, falënderoi Kryetarin e Komunës, Agim Aliu për pritjen, për këtë takim miqësie si dhe për momentet e diskutimit, duke siguruar Kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu për vendosjen e raporteve të qëndrueshme të bashkëpunimit, mbështetjen nga populli britanik për projektet dhe iniciativat e ndryshme që do të ndërmerren në të ardhmen nga Komuna e Ferizajt, si dhe ndërveprimit në mes dy institucioneve gjegjëse në nisma të përbashkëta.

Kjo është vizita e dytë e ambasadorëve që vizitojnë Komunën e Ferizajt që nga fillimi i mandatit qeverisës nga Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.