Ambasada e Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri ka lëshuar një deklaratë për shtypë ku kërkon lirimin e shtetasit iranian H.A.B., i arrestuar në Kosovë si i dyshuar për pastrim të parave dhe financim të terrorizmit.
Sipas Ambasadës iraniane në Tiranë shtetasi i tyre ka vepruar në Kosovë në pajtim të plotë me ligjet e vendit, njofton Klan Kosova.
“Personi në fjalë ka drejtuar një organizatë jo fitimprurëse të themeluar më parë në bazë të ligjeve të Kosovës dhe thelbi i pranisë dhe veprimtarisë së saj ka qenë krejtësisht transparent dhe bazuar në rregullat e vendit”, thuhet në këtë deklaratë.
“Për këtë arsye, vitin e kaluar, gjykata pasi dëgjoi mbrojtjen e personit në fjalë i zgjati atij lejen e veprimtarisë dhe të qëndrimit”.
Ambasada iraniane beson fuqishëm se pas shqyrtimit të mëtutjeshëm të rastit akuzat do të dalin të pambështetura.
“Shpresojmë që institucionet e nderuara të drejtësisë së Kosovës në vijim të procesit të gjykimit, pas një shqyrtimi më të saktë dhe më të plotë, të deklarojnë të pabaza akuzat e bëra, në mënyrë që të mos lejojnë krijimin e dyshimeve dhe zërave të pavërtetë nga ana e qarqeve dashakeqe”.
Republika e Iranit në deklaratë përmend se vet shteti i tyre ka qenë cak i terrorizmit dhe se “terrorizmi nuk njeh kufi, komb, fe dhe gjeografi” dhe për ta mposhtur këtë të keqe globale “duhet të thahen rrënjët e tij, thënë ndryshe mentaliteti ekstremist tekfirist i cili me padrejtë i serviret botës si islami i vërtetë”.