Ferizaj

Ambasada gjermane tregon se kur do të fillojnë me termine për viza pune

By FerizajPress

June 24, 2021

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar se nga gushti i këtij viti fillojnë sërish të ofrohen terminet për viza pune sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor, por vetëm për personat që janë plotësisht të vaksinuar.

Këta persona duhet të ofrojnë dëshmi të vaksinimit me njërën nga vaksinat e kompanive BionTech-Pfizer/Cominarty, Moderna, AstraZeneca/Vaxzevria, Johnson&Johnson/Jannssen dhe se personat që janë vaksinuar plotësisht, duhet të kenë kaluar së paku 14 ditë nga dita e vaksinimit me dozën e dytë.

Ambasada nuk ka dhënë një datë të saktë se kur në gusht fillojnë të hapen terminet për këto lloj vizash, por kanë shkruar se informacione më të hollësishme do ti japin me kohë.

“Terminet për kërkesa për viza për nisje të punësimit sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor për persona plotësisht të vaksinuar, sipas parashikimeve, mund të ofrohen sërish nga muaji gusht. Informata më të hollësishme do të jenë në dispozicion me kohë.

Udhëtimet hyrëse janë të mundura vetëm për personat, të cilët janë vaksinuar me njërën nga vaksinat e përmendura në uebfaqen e Institutit Paul-Ehrlich (PEI) (aktualisht BionTech-Pfizer/Cominarty, Moderna, AstraZeneca/Vaxzevria, Johnson&Johnson/Jannssen), nëse që nga marrja e dozës së fundit/vaksinës së vetme të nevojshme kanë kaluar 14 ditë. Aktualisht kjo vlenë vetëm për vaksinat e lejuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA). Zgjerimi i listës me vaksina të tjera me një standard të krahasueshëm të mbrojtjes është i paraparë, sapo të jenë përfunduar shqyrtimet e nevojshme.

Për udhëtimet hyrëse duhet të paraqitet një çertifikatë dixhitale COVID e BE-së, ose një dëshmi e krahasueshme e vaksinimit në formë dixhitale, ose në letër në gjuhën gjermane, franceze, italiane, ose spanjolle. Ajo duhet të përmbajë të dhënat në vijim:

Të dhënat personale të të vaksinuarit (së paku emri, mbiemri dhe datëlindja), Data e vaksinimit dhe numri i vaksinave, Emërtimi i vaksinës, Emërtimi i sëmundjes kundër të cilës është marrë vaksina, Emri dhe adresa e personit/institucionit pergjegjës për dhënien e vaksinës, si dhe Vërtetimi në formë të shkruar, ose elektronike me një nënshkrim të kualifikuar elektronik, ose një vulë të kualifikuar elektronike të personit përgjegjës për dhënien e vaksinës; nëse për arsye administrative praktike një gjë e tillë nuk është e mundur, atëherë lëshimi i dëshmisë nga ana e personit/institucionit përgjegjës duhet të bëhet në mënyrë përkatëse me ç’rast dokumenti duhet të ketë të dukshme veçanërisht vulën dhe simbolet shtetërore.

Në rastin e personave të shëruar vaksinimi mund të ekzistojë vetëm me një dozë. Për dëshmim të statusit të të vaksinuarit të plotë, të shëruarit duhet të dëshmojnë edhe ekzistimin e sëmundjes me Coronavirus SARS-CoV-2 para vaksinimit. Si dëshmi e kësaj sëmundje duhet të paraqitet një test PCR pozitiv, i cili është bërë së paku 28 ditë dhe më së shumti gjashtë muaj më parë. Dëshmia e shërimit duhet të paraqitet në gjuhën gjermane, franceze, italiane, ose spanjolle në formë dixhitale apo në letër”, shkruan në njoftimin e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.