Ferizaj.29.11.2017. Shkolla fillore “Jeronim de Rada” në Ferizaj sot ka pasur një ditë feste ngase është rrumbullakësuar cikli i investimeve të cilat e kanë shndërruar këtë shkollë në një qendër moderne arsimore.
Investimet në vlerë mbi 350 mijë dollarë janë financuar Ambasada Amerikane në Kosovë dhe mekanizmat e tjerë pranë forcave të Shteteve të Bashkuara.
Në ceremoninë e përurimit të këtyre investimeve mjaft të rëndësishme mori pjesë edhe kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa, i cili shprehu kënaqësinë që në përfundim të mandatit po përmbyll në mënyrën më të mirë angazhimin rreth përmirësimit të kushteve shkollore në komunën e Ferizajt. “Për mua është kënaqësi e rrallë që në fund të këtij mandate, i ta përfundoj në mënyrën më të mirë të mundshme edhe një inaugurim të investimeve nga faktori ndërkombëtar, e në veçanti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si njëri nga partneret më të fuqishëm të Kosovës. Pa kontributin dhe ndihmën e SHBA-vë sigurisht që nuk ishin realizuar as ëndrrat tona për lirinë e Kosovës, ndërkaq tash amerikanët shërbejnë jo vetëm si faktor stabiliteti këtu, por edhe si faktor bashkëpunimi dhe kooperimi e ndihme, sikurse është në këtë rast ku kjo shkollë ka pasur nevoja të jashtëzakonshme për këtë lloj investimi. Në këtë mënyrë është zbutur edhe orari i ngjeshur mësimor që ishte dikur këtu dhe në Ferizaj më nuk kemi asnjë shkollë që punon me 3 ndërrime” deklaroi kryetari Svarqa.
Ndërkaq përfaqësues nga Ambasada Amerikane thanë se janë të gëzuar që përfitues të këtij projekti janë nxënësit ferizajas dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle.
Ndihmës-sekretaria e departamentit të mbrojtjes të SHBA-ve, Laura Cooper potencoi se SHBA-të janë krenare për investimet në fëmijët kosovar.
“Jam vërtetë shumë e lumtur që zyrtarisht po shënojmë përfundimin e punëve në këtë shkollë për të përmirësuar kushtet brenda dhe jashtë objektit. Gjatë 10 muajve të fundit këtu vërtet janë kryer punë të mëdha për t’u krijuar ky mjedis shumë i mirë për mësim nxënie. SHBA-të janë jashtëzakonisht krenar për bashkëpunimin me juve, në investime për të ardhmen e Kosovës, ne fëmijët e saj. Këto renovime që vlerësohen që kanë kushtuar mbi 350 mijë dollar , janë mundësuar nga programi për ndihmë humanitare i komandës i forcave amerikane për Evropë dhe nga korpusi i xhenios i armatës së SHBA-së. Financimi dhe ekspertiza e tyre kanë vlerësuar se puna e kryer në këtë shkollë të jete e cilësinë më të lartë, por edhe që t’i përmbush nevojat e shkollës. Këtu i shpreh mirënjohje edhe Ambasadës Amerikane që e kanë shtyrë përpara këtë projekt. Renovimi i kësaj shkolle, paraqet vetëm projektin e fundit në vargun shumë të gjatë të projekteve të mbështetura nga Ambasada Amerikane në Kosovë”, tha Laura Cooper.
Në ngjarjen e sotme në shkollën “Jeronim de Rada” ishte për vizitë edhe zëvendës ministri i arsimit Heset Sahiti . Ai duke falënderuar Ambasadën Amerikane për investimin e bërë pohoi se populli Kosovar do të jetë përjetësisht mirënjohës ndaj ndihmës amerikane.
“Përkrahja amerikane për popullin tonë nuk ka munguar asnjëherë, fal përkrahjes amerikane dhe luftës sonë të drejtë, sot jemi të lirë dhe të pavarur. Prandaj edhe sot vjen ky investim për krijimin e kushteve më të mira dhe ngritjes së cilësisë së arsimit nëpër shkollat tona”, tha Sahiti.
Në shenjë falënderimi për mysafirët nga Ambasada Amerikane, nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës “Jeronim de Rada” shfaqën një program të pasur artistik dhe u ofruan ushqime të përgatitura enkas për këtë festë.