Ferizaj

Aliu uron qytetarët ferizajas për Festën e Flamurit

By FerizajPress

November 27, 2017

Agim Aliu, i cili në zgjedhjet e 19  Nëntorit mori besimin e qytetarëve të Ferizajt për të parin e Komunës, me rastin e festës së 28 Nëntorit- Ditës së Flamurit , ka uruar të gjithë qytetarët ferizajas.

Aliu  në urimin e tij ka thënë se Data 28 Nëntor është faqja më e lavdishme e historisë së popullit shqiptar.

Ky është urimi i plotë i Aliut.

Të dashur qytetarë ferizajas!

Më lejoni që në këtë datë të shënuar në historinë e popullit tonë, të ju uroj 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shtetit tonë amë!

Nëntori është muaj i heronjve dhe i sakrificës për lirinë e vendit. Data 28 Nëntor është faqja më e lavdishme e historisë së popullit shqiptar. Është ditëlindja e Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Adem Jashari, është paraqitja e parë publike e djemve dhe vashave të UÇK-së, është ngritja e flamurit kombëtar shqiptar në Krujë nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, janë ditët që përcaktuan fatin dhe historinë e kombit tonë. Lavdi gjithë të rënëve në luftërat e popullit tonë për liri !

Qoftë i pandalshëm angazhimi i të gjithë neve për të realizuar amanetin që trashëguam ndër breza!

Urime!

Sinqerisht, Agim Aliu