Ferizaj

Aliu takon shitësit ambulant. U ofron dy oferta për bizneset e tyre

By FerizajPress

April 06, 2018

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu paraditen e sotme ka pritur në takim pronarët e tezgave që deri më tani kanë operuar përgjatë sheshit kryesor të qytetit.

Ky takim vjen si rezultat i vendimit të kryetarit Agim Aliu që të liroj hapësirën publike nga tezgat dhe shitësit ambulant me qëllim që qytetarëve t’i kthehet sheshi duke mundësuar qarkullimin e lirë e pa pengesa të tyre. Pronarët e tezgave u shprehën të gatshëm të zbatojnë vendimin e Komunës së Ferizajt, gjegjësisht kryetarit Agim Aliu, por paraprakisht kanë kërkuar sistemimin e tyre në ndonjë hapësirë të përshtatshme për të operuar.

Me këtë rast, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu i ka njoftuar këta të fundit se qeverisja lokale ka menduar edhe për mirëqenien e tyre sociale e ekonomike.

“Unë kam 2 oferta për ju. Kam caktuar lokacionin që tani përdoret si parking, afër parkut te hekurudha ku do të bëhet organizimi i mirëfilltë i aktivitetit tuaj në bazë të lejes dhe kushteve të paracaktuara nga autoritetet komunale dhe oferta e dytë është ofrimi i vendit të punës për të gjithë pronarët e tezgave dhe njërin nga familjarët e tyre në kompani serioze private. Të dy ofertat janë në dobinë tuaj, zgjedhja ju takon ju. Sheshi i është kthyer qytetarëve, ne jemi të vendosur që ta zbatojmë deri në fund këtë vendim që për qëllim ka lirimin e hapësirave publike dhe mundësimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve. Unë jam i gatshëm t’ju takoj kurdo, sikur sot, mirëpo këto kushte i ofron komuna. Mbetet tek ju të zgjedhni për ofertën e parë apo këtë të dytën. Realizimin e këtyre dy ofertave jua garantoj unë” theksoi kryetari Aliu.

Aksioni për heqjen e tezgave përgjatë sheshit dhe rrugëve kryesore në gjithë territorin e Komunës së Ferizajt është ndërmarr dhe po vazhdon të realizohet me iniciativën e Kryetarit të Komunës, Agim Aliu me zbatim nga ana e Inspektoratit Komunal.

Lirimi i hapësirave publike dhe mundësimi i qarkullimit të lirë të qytetarëve ka qenë zotim i Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale, zotim ky që me këto aksione është përmbushur dhe do të monitorohet në vazhdimësi.