Ferizaj

Aliu: Në Ferizaj për herë të parë konkurse pa rekomandime politike

By FerizajPress

April 04, 2018

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu në takim me studentë  shpalosi punën e qeverisjes lokale që drejton, duke u thënë atyre që Ferizaj do të ketë më shumë mundësi në punësim për të rinjtë.

Aliu shpalosi planin që parasheh një qeverisje me më shumë ekspertë e profesionistë, e më pak politikë.

“Mos të ketë shumë politikë,  më shumë të ketë profesionalizëm,  më shumë të ketë ekspertë se sa zëra politikë,  zakonisht në komitete ka më shumë zëra politikë se sa zëra profesionistë dhe ekspertësh” tha Aliu.

Ai nuk la pa e përmendur qeverisjen e kaluar të udhëhequr nga LDK-ja,  që sipas tij kanë lënë komunën në borxhe të mëdha.  Aliu vlerëson se tani është ‘Dekada e Re’ që shteti duhet të funksionojë me  vendime strikte juridike.

“Është lejuar të vjedhin kontrata me 5 mijë euro,  10 mijë euro zotimet,  projekte 5 e 10 milionëshe e kjo shkakton një kaos të madh në zhvillimin e bizneseve në radhë të parë,  jo vetëm te bizneset,  por edhe në implementimin e projekteve dhe pritjeve që kanë qytetarët,  por sigurisht që pengon edhe atë që është vizion i ndonjërit. Sot ne e kemi komunën me 10.56 milionë me borxhe direkte, me 40.8 milionë projekte të kontaktuara e që nuk kanë asnjë mbështetje financiare, andaj duhet të fillojë Dekada e Re, në kuptimin e të bërit politikë që shteti të kuptohet si një organizatë e pavarur juridike,  që punon mbi masën e vendimeve strikte , e jo të mbetemi peng i premtimeve të mbajtura”,  tha Aliu.

Aliu tha se për herë të parë në  Ferizaj ka konkurse pa rekomandime politike dhe theksoi që të rinjtë do të kenë mundësi punësimi prej çdo universiteti.

“Do të krijojmë një Fond të Punësimit,  ku do të jetë një mundësi më shumë për të rinjtë dhe të rejat nga cilat do universitete dhe kolegje,  por ajo që është kryesorja, unë jam kryetar i Komunës së Ferizajt për të treguar që do të ketë barazi,  rend dhe ligj. Për herë të parë ka konkurse në komunë pas disa vitesh për drejtime të caktuara,  të cilat më parë kanë qenë të rekomanduara,  e nuk dëshirojmë t’i rekomandojmë,  ne dëshirojmë të krijojmë konkurrencë,  ai vend që ekziston në komunën e Ferizajt në kuadër të përgjegjësisë,  le të shpallet dhe ne e dimë që në politikë ka kosto kjo gjë,  dhe njerëzit frikësohen, por unë nuk frikësohem”,  tha Aliu.